Liria e fjalës: Musk pezullon profilet në Twitter të disa gazetarëve të mirënjohur amerikanë

Të enjten, Twitter pezulloi llogaritë e disa gazetarëve të shquar të cilët së fundi shkruan për pronarin e ri të kësaj platforme Elon Musk ndërkohë që ky i fundit u përgjigj duke postuar në Twitter se politika e privatësisë vlen për të gjithë, përfshirë gazetarët.

Llogaritë e gazetarit të Times, Ryan Mac, reporterit të Post, Drew Harwell, reporterit të CNN, Donie O’Sullivan dhe reporterit të Mashable, Matt Binder, u pezulluan. Është pezulluar edhe llogaria e gazetarit të pavarur Aaron Rupar, i cili ndjek politikën amerikane.

Një zëdhënës i The New York Times tha se pezullimi i llogarive në Twitter të një numri gazetarësh të shquar ishte i dyshimtë dhe për të ardhur keq dhe se ata nuk kishin marrë asnjë shpjegim se pse ndodhi një gjë e tillë.

Të mërkurën, Twitter gjithashtu pezulloi një llogari që e gjurmon avionin privat të Musk në kohë reale duke përdorur të dhënat e disponueshme në domenin publik. Musk kërcënoi me veprime ligjore ndaj operatorit të llogarisë për rrezikim të familjes.

Ai gjithashtu i pezulloi llogarinë zyrtare të rrjetit social Mastodon, i cili është shfaqur si një alternativë ndaj Twitter që kur Musk e bleu Twitter-in.

Ndërkohë, javë më parë Elon Musk e ka rikthyer  llogarinë e ish-presidentit Donald Trump, i cili u pezullua nga Twitter për shkak të veprimeve të tij në lidhje me rrethimin e Kapitolit Hillit të SHBA./tportal.hr

Përgatiti: Nuhi Shala