Kufjet e Apple mund të kenë opsione të reja të fokusuara në monitorimin e shëndetit

Popullariteti i orëve inteligjente është rritur ndjeshëm pasi këto pajisje pushuan së qeni thjesht ekrane në të cilat shfaqeshin njoftimet nga telefonat inteligjentë dhe kur u zbatuan opsionet e fokusuara mbi shëndetin dhe fitnesin. Apple beson se kufjet e tyre AirPods gjithashtu kanë potencial të madh në atë treg.

Ata tashmë kanë disa opsione që mund të përfitojnë personat me dëgjim të dëmtuar, domethënë mund të ndihmojnë personat që mund të dëgjojnë më mirë në kushte ku ka shumë zhurmë. Ky është opsioni Live Listen, përmes të cilit brenda kufjeve dëgjohet gjithçka që thuhet pranë iPhone – telefoni i Apple shërben si mikrofon, dhe zëri luhet në kufje. Edhe pse i dobishëm, ky opsion nuk miratohet nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA, ndaj Apple nuk e reklamon as si aparat dëgjimi.

Mirëpo, sipas informacioneve të gazetarit të njohur të Bloomberg, Mark Gurman, duket se Apple ka si qëllim të prezantojë veçori të reja shëndetësore për AirPods në një ose dy vitet e ardhshme. Kufjet e tyre, ndër të tjera, duhet të bëhen një lloj mjeti shëndetësor dhe të mbledhin të dhëna të caktuara që lidhen me dëgjimin e përdoruesit.

Kompania e shefit ekzekutiv të Apple, Tim Cook, njoftoi më herët se zhvillimi i kufjeve është pjesërisht në atë drejtim. Gjegjësisht, në një intervistë dy vite më parë, njëri nga drejtorët e kompanisë, Kevin Lynch, tha se, kur bëhet fjalë për shëndetin, AirPods kanë potencial të madh. Se si Apple synon ta përdorë këtë potencial, përveç opsionit të lartpërmendur Live Listen, mbetet për t’u parë.

Përveç opsioneve të reja shëndetësore për kufjet, Apple prej vitesh po zhvillon opsione për orën e saj, kështu që thashethemet qarkullojnë prej vitesh për një opsion të matjes së sheqerit, i cili mund t’ua lehtësojë jetën diabetikëve. Nuk dihet se kur do të jetë gati ky opsion, por sigurisht që nuk duhet ta presim që një gjë të ndodhë gjatë një ose dy viteve të ardhshme, pasi do të duhet të kryhen shumë studime shtesë dhe të përmirësohet teknologjia./Tech Radar

Përgatiti: Nuhi Shala