Kompania e Elon Musk ‘Neuralink’ merr miratimin për testimin e implanteve të trurit tek njerëzit

Zyrtarë nga kompania rishtare e Elon Musk, ‘Neuralink’, thanë të enjten se kanë marrë miratimin nga rregullatorët amerikanë për t’i testuar implantet e saj të trurit tek njerëzit.

Sipas Neuralink lejimi nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për studimin e saj të parë klinik në njerëz është “një hap i parë i rëndësishëm” për teknologjinë e saj, e cila synon ta lejojë trurin të ndërlidhet drejtpërdrejt me kompjuterët.

“Ne jemi të ngazëllyer ta ndajmë lajmin me ju se kemi marrë miratimin e FDA për ta nisur studimin tonë klinik të parë në njerëz” – thonë zyrtarë nga Neuralink në një postim në Twitter të drejtuar nga Musk.

“Ky është rezultat i punës së jashtëzakonshme nga ekipi Neuralink në bashkëpunim të ngushtë me FDA.”

Rekrutimi për një provë klinike nuk është ende i hapur, sipas Neuralink.

Qëllimi i implanteve Neuralink është t’i mundësojë trurit të njeriut të komunikojë drejtpërdrejt me kompjuterët, ka deklaruar Musk gjatë një prezantimi të këtij start-upi në muajin dhjetor.

“Kemi punuar shumë për të qenë gati për njeriun tonë të parë (implantin) dhe padyshim që duam të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të sigurt se do të funksionojë mirë përpara se të vendosim një pajisje në një njeri,” pati thënë Musk në atë kohë.

Në korrik të vitit 2019, Musk u zotua se Neuralink do të jetë në gjendje t’i kryejë testet e para te njerëzit në vitin 2020.

Prototipet e produktit, të cilat kanë madhësinë e një monedhe, janë futur në kafkat e majmunëve, treguan demonstrimet nga startup-i.

Në prezantimin e Neuralink, kompania shfaqi disa majmunë që “luanin” video lojëra bazë ose lëviznin kursorin në një ekran përmes implantit të tyre Neuralink.

Musk thotë se kompania do të përpiqet t’i përdorë implantet për ta rikthyer shikimin dhe lëvizshmërinë te njerëzit që i kanë humbur aftësitë e tilla.

“Sado e mrekullueshme që mund të tingëllojë, ne jemi të bindur se është e mundur të rivendoset funksionaliteti i plotë i trupit tek dikush që ka një palcë kurrizore të dëmtuar”, ka thënë Musk./France24

Përgatiti: Nuhi Shala