Instagram arrin në 2 miliardë përdorues - kompania në fjalë i fsheh këto të dhëna

Kompania Instagram e cila është në pronësi të Mark Zuckerberg nuk i ka shpallur e ndoshta nuk do t’i shpallë zyrtarisht asnjëherë këto të dhëna, veçanërisht duke pasur parasysh se ditët e fundit ka qenë nën kritika për shkak të politikës së saj ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.

Instagram thuhet se ka arritur numrin e dy miliardë përdoruesve aktivë mujorë, sipas një punonjësi anonim që ka dhënë këtë informacion, shkruan The Verge.

Herën e fundit kur Instagram i ka bërë publike të dhënat lidhur me numrin e përdoruesve ishte në vitin 2018, kur kishte një miliard përdorues, dhe tre vjet më vonë ky numër është dy herë më i lartë. Thuhet se numri prej 2 miliardë përdoruesëve u bë rreth një javë përpara se Facebook ta ndryshonte emrin në Meta.

Instagram po përpiqet dëshpërimisht ta ruajë pozicionin e tij në lidhje me TikTok, i cili arriti në një miliard përdorues në muajin shtator.

Së fundmi ata prezantuan një veçori që do t’i inkurajojë adoleshentët ta bëjnë një pushim nga rrjeti dhe njoftuan për kontrolle të reja prindërore.