Hyundai dhe Samsung po zhvillojnë mundësi të reja për përdorimin e një çelësi dixhital të veturës

Në varësi të cilësimeve të makinës, përdoruesi mund ta zhbllokojë makinën në dy mënyra duke përdorur UWB. Dera mund të hapet duke shtypur dorezën ndërkohë që telefoni inteligjent është në çantë ose xhep, ose mund të zhbllokohet automatikisht duke përdorur telefonin inteligjent thjesht duke iu afruar makinës.

Samsung Electronics dhe Hyundai Motor Group kanë njoftuar se automjeti elektrik GV60 Genesis do të jetë i pari që do t’i suportojë çelësat dixhitalë me brez ultra të gjerë (UWB) të disponueshëm në pajisjet Galaxy. Siç theksuan ata, shtatë modelet më të fundit të telefonave inteligjentë Galaxy të Samsung do ta suportojnë një çelës dixhital të mundësuar nga teknologjia UëB.

Sipas Samsung, përdoruesit do të mund ta zhbllokojnë makinën e tyre me një telefon inteligjent thjesht duke hyrë në të, ndërsa ajo do të kyçet sërish thjesht duke prekur sensorin në derë. Teknologjia pa tel UWB i jep mundësinë telefonit inteligjent të lidhet dhe të komunikojë drejtpërdrejt me makinën. Pasi të regjistrohet çelësi dixhital, GV60 mund të identifikojë pajisjet e autorizuara (në këtë rast Samsung Galaxy) dhe ta zhbllokojë derën pa përdorimin e një çelësi fizik.

Çelësi dixhital disponohet nëpërmjet aplikacionit Samsung Pass, sistemit të ruajtjes së nënshkrimeve dixhitale, Kartën e Identitetit (ID) dhe fjalëkalimeve. Shërbimi do të zgjerohet në “Samsung ëallet” deri në fund të vitit, i cili gjithashtu do t’i lejojë përdoruesit ta ruajnë dhe menaxhojnë në mënyrë të sigurt ID-të dixhitale, kartat e imbarkimit, kuponat dhe kartat e kreditit në telefonin e tyre inteligjent.

Nga Samsungu thonë se procesi i instalimit dhe aktivizimit të një çelësi dixhital është i thjeshtë dhe pas disa hapash, çelësi dixhital është gati për përdorim. Për ta aktivizuar, duhet të instaloni dhe hapni aplikacionin Genesis Connected Service në makinë, zgjidhni menynë “Vehicle” dhe më pas zgjidhni opsionin “Regjistrohu” në aplikacionin Genesis Connected në menunë “Çelësi dixhital”. Pas regjistrimit, çelësi dixhital është gati për t’u përdorur.

Në varësi të cilësimeve të makinës, përdoruesi mund ta zhbllokojë makinën në dy mënyra duke përdorur UWB. Dera mund të hapet duke shtypur dorezën ndërsa telefoni inteligjent është në çantë ose xhep, ose mund të zhbllokohet automatikisht duke përdorur telefonin inteligjent thjesht duke iu afruar makinës.

Përdoruesit mund të ndajnë me lehtësi dhe siguri çelësin e tyre dixhital me familjen ose miqtë e tyre. Ju duhet të zgjidhni deri në tri kontakte nga lista dhe të klikoni “Dërgo çelësin dixhital”. Kjo do të dërgojë një mesazh me tekst që do t’i udhëzojë ata drejt konfigurimit të një çelësi dixhital në një telefon inteligjent Galaxy. Pasi të ndahet, çelësi mund të përdoret menjëherë. Pronarët madje mund të kontrollojnë se për sa kohë përdoruesit shtesë kanë qasje te çelësi dhe ta revokojnë qasjen nëse është e nevojshme.

Një çip sigurie që mbron Samsung Pass ofron siguri, dmth që ky çelës dixhital nuk mund të përdoret nga një person i paautorizuar. Procesi i vërtetimit brenda aplikacionit siguron që pronarët e makinave të kenë gjithmonë kontroll se kush dhe kur mund ta marrë hua çelësin e makinës.

Samsung ka njoftuar se është duke punuar në bashkëpunim të mëtejshëm me prodhuesit e makinave për të siguruar që çelësat dixhitalë UWB të përdoren edhe në makina të tjera./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala