Google prezantoi harta edhe më të detajuara për automjete

Google e ka prezantuar një version të ri të hartave të saj me definicion të lartë që janë bërë ekskluzivisht për automjete dhe janë të implementuara në sistemin operativ Android Automotive.

Sipas Jørgen Behrens nga Google, hartat e reja sjellin informacione që do të jenë vendimtare për gjeneratën e ardhshme të asistentëve të vozitjes, pra sisteme plotësisht autonome që një ditë do të jenë në gjendje ta marrin plotësisht kontrollin e automjeteve.

Kësisoji, hartat e reja HD sjellin edhe më shumë detaje që nuk ishin të disponueshme deri më tani, si për shembull një paraqitje e saktë e korsive rrugore, të gjitha shenjat e komunikacionit, si dhe pengesat në rrugë. Duhet theksuar se harta të reja dhe të detajuara do të jenë të disponueshme në automjetet që përdorin Shërbimet Automobilistike të Google. Është një shërbim për të cilin nuk është e nevojshme ta lidhni telefonin me automjetin, por aplikacionet e Google dhe dyqani i aplikacioneve, domethënë shërbime si asistenti i tyre dhe hartat janë të integruara në vetë automjetin.

Sipas The Verge, Shërbimi Automotive i Google duhet të dallohet nga Android Automotive, sistemi operativ i mundësuar nga Android.

Prandaj, hartat e reja HD nuk do të jenë të disponueshme në një numër të madh automjetesh në fillim, por vetëm në dy modele – Volvo EX90, një automjet elektrik që do të dalë në shitje këtë vit, dhe SUV-i i parë i Polestar, modeli Polestar 3. Të dyja këto automjete ndajnë të njëjtën platformë (SPA2), sistemi operativ i Google për automjete dhe kanë mbështetje për Pilot Assist të Volvo-s, i cili mund ta marrë kontrollin e automjetit në situata të caktuara, si p.sh. ngarje në autostradë.

Një tjetër veçori interesante që do të jetë në dispozicion të pronarëve të veturave të përmendura është mundësia e kontrollit në distancë të disa opsioneve përmes pajisjeve inteligjente të Google dhe asistentit zanor. Për shembull do të mjaftojë që t’i kërkoni asistentit të Google ta kontrollojë statusin e baterisë ose, ndërkohë që pronarwt e këtyre automjeteve janë duke u përgatitur për të shkuar në punë, nga ngrohtësia e shtëpisë së tyre do të mund t’i thonë asistentit ta ngrohë automjetin e tyre në mënyrë që kur ta zhbllokojë Volvo ose Polestar i tyre, ata do të mirëpriten nga një automjet i ngrohur./The Verge

Përgatiti: Nuhi Shala