Google po punon në lansimin e një mjeti që mund t’i deshifrojë edhe recetat e mjekëve të shkruara me dorë

“Google” po zhvillon një model të inteligjencës artificiale (AI) që mund ta deshifrojë shkrimin vështirë të lexueshëm dhe do të fokusohet kryesisht në shënimet dhe recetat e shkruara nga mjekët.

Gjigandi i teknologjisë njoftoi gjatë konferencës vjetore në Indi në fillim të kësaj jave se po punon me farmacistët për të krijuar një mjet në aplikacionin “Google Lens” që mund t’i dekodojë shënimet mjekësore të shkruara në mënyrë të shkujdesur, raporton TechCrunch.

Google e shfaqi këtë funksion gjatë ngjarjes në fjalë, duke demonstruar aftësinë e tij për të lexuar në mënyrë specifike medikamentet në një recetë të shkruar me dorë.

Deri më tani, nuk ka detaje se kur pritet të lansohet funksioni i ri i deshifrimit të shkrimit të dorës, vetëm informacione se ka ende shumë punë për të bërë përpara se ky sistem të jetë gati për përdoruesit.

“Google Lens” është një mjet për njohjen e objekteve me shumë qëllime i mundësuar nga inteligjenca artificiale që mund të përdoret për të zbuluar produkte, bimë ose kafshë individuale dhe për të përkthyer gjuhë të ndryshme.

Aplikacioni “Google Lens” tashmë mund të përdoret për të transkriptuar në mënyrë digjitale shënime të shkruara me dorë, megjithëse në disa teste efektiviteti i tij varet pikërisht nga lexueshmëria e shkrimit të dorës. Mjekët janë të njohur për shkrimin e tmerrshëm të dorës./Tech Crunch