Google Maps do të ofrojë 'zhytje' në qytetet kryesore të botës

“Veçoria e re e Google Maps Immersive View do të mundësojë shikimin dixhital të peizazheve të qyteteve të mëdha”, deklaroi shefi ekzekutiv i Alphabet Sundar Pichai gjatë një fjalimi prezantues në Konferencën e Zhvilluesve I/O 2022.

Duke e përdorur vizionin kompjuterik dhe inteligjencën artificiale, kjo veçori do të kombinojë funksionin ekzistues të Street View me fotografimin nga ajri për të ofruar modele të ndërtesave të ndryshme dhe veçori të tjera të qytetit në një vendndodhje me rezolucion të lartë.

Do të jetë e mundur të përdorni mjete dhe veçori të tjera që ka në dispozicion Maps, në mënyrë që, për shembull, të mund të shihni se si duket zona në kohë të ndryshme të ditës, si dhe në kushte të ndryshme moti.

Immersive View do të jetë në dispozicion për Los Angjelos, Londër, Nju Jork, San Francisko dhe Tokio deri në fund të këtij viti. Plani është të shtohen qytete të tjera.

Google njoftoi gjithashtu se një veçori e shtuar kohët e fundit, e cila u lejon drejtuesve në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara ta zgjedhin rrugën me konsumin më të ulët të karburantit, tashmë ka grumbulluar më shumë se 136 miliardë milje dhe i ka reduktuar emetimet e karbonit me rreth gjysmë milioni tonë metrikë./Blog.google