Google hedh hapin e parë drejt përdorimit të të njëjtit aplikacion në pajisje të ndryshme

Nëse dëshironi ta përdorni një aplikacion sot, do t’ju duhet ta instaloni atë aplikacion veçmas në secilën pajisje në të cilën dëshironi ta përdorni. Sigurisht, me kusht që aplikacioni të ekzistojë në një version për atë pajisje dhe sistem operativ.

Por duket se Google ka bërë një hap drejt fshirjes së këtyre kufijve dhe krijimit të aplikacioneve që mund të përdoren në një gamë të tërë pajisjesh.

Në blogun zyrtar për zhvilluesit, ata njoftuan lansimin e një pakete të re zhvillimore (SDK) që do t’u mundësonte zhvillimin e aplikacioneve që do të funksiononin pa probleme në të gjitha pajisjet Android, dhe përfundimisht edhe në pajisjet që nuk përdorin sistemin operativ Android.

Paketa e re duhet t’u mundësojë zhvilluesve që aplikacionet e tyre të mund të zbulojnë pajisjet në afërsi, të krijojnë një lidhje të sigurt midis pajisjeve dhe të shfaqin aplikacionin në pajisje të ndryshme. Sipas skenarëve të deklaruar nga Google, përdorimi i aplikacioneve të tilla do t’u mundësonte përdoruesve të përdorin aplikacionin në pajisje të ndryshme në të njëjtën kohë, pavarësisht se për cilën pajisje dhe sistem operativ bëhet fjalë. Gjithashtu, përdoruesit mund të vazhdojnë të punojnë në pajisje të ndryshme aty ku e kanë lënë, për shembull në telefon.

Sipas blogut android-developers, e gjithë puna, për përdoruesit, do të funksiononte si opsioni Nearby Share, i cili aktualisht është i disponueshëm në pajisjet Android, i cili lejon ndarjen e të dhënave me pajisjet afër.

Kjo paketë zhvillimi është aktualisht e disponueshme në formën e ‘Parapamjes së Zhvilluesit’, që do të thotë se zhvilluesit mund të shohin se çfarë i pret edhe përpara se të fillojnë zyrtarisht të punojnë për të.

Në maj, Google njoftoi lansimin e kësaj pakete në konferencën e saj Google I/O dhe se kur do të jemi në gjendje t’i shohim aplikacionet e para të bazuara në këtë teknologji nuk dihet ende./Android-developers