Google fillon testimin e syzeve inteligjente

Dhjetë vjet më parë, Google prezantoi një prototip të syzeve të para inteligjente. Ata besonin se ishte një kategori e re e pajisjeve pas telefonave dhe tabletëve që do të tërhiqte miliona njerëz, por në vend të kësaj syzet hasën në shumë kritika nga publiku, kryesisht për shkak të aftësisë për të bërë foto dhe video, të cilat shumë e panë si një shkelje e rëndë e privatësisë dhe Google përfundoi duke hequr dorë nga ai projekt.

Në konferencën I/O në maj, ata prezantuan një prototip të një gjenerate të re të syzeve inteligjente dhe njoftuan këtë javë se janë gati t’i testojnë ato “në kushte reale”. Testet do të fillojnë gjatë muajit të ardhshëm dhe duhet të tregojnë se si syzet mund t’i ndihmojnë njerëzit në jetën e përditshme, pra në situata të ndryshme me të cilat përballen çdo ditë. Syzet janë të destinuara kryesisht për përkthim të drejtpërdrejtë dhe navigim.

Juston Payne, menaxheri i Google për realitetin virtual, theksoi se testet do t’i ndihmojnë ata t’i përmirësojnë përvojat si navigimi AR. Ai thotë se faktorë të tillë si kushtet e motit dhe kryqëzimet e trafikut janë shumë të vështira për t’u testuar në hapësira të mbyllura, ndaj syzet dhe teknologjia duhet të testohen në kushte reale.

Fillimisht, syzet do të testohen nga një numër i vogël njerëzish – punonjës të Google dhe njerëz të besuar nga Google, dhe do të pajisen me kamera, mikrofona dhe një ekran brenda vetë syzeve. Megjithatë, gjatë testimit, përdorimi i këtyre opsioneve do të jetë i kufizuar, kështu që nuk do të jetë e mundur të bëhen foto dhe video me syze.

Syzet do t’I përdorin të dhënat e fotografive për përkthimin e tekstit dhe udhëzimet e navigimit, por do t’i fshijnë shpejt këto të dhëna, me përjashtim të rastit të të dhënave që do të përdoren për korrigjimin dhe analizën e gabimeve, por edhe atëherë nuk do të ruajnë informacione të ndjeshme, si p.sh. fotografitë e njerëzve, fytyrat dhe targat. Nuk dihet se kur do të dalin në shitje këto syze./Cnet