Google e përmirëson privatësinë e shfletimit në Android

Chrome i Google është shfletuesi më i popullarizuar i uebit në botë, i përdorur nga shumë njerëz në kompjuterë dhe telefona të mençur. Ndër të tjera, ky shfletues, si shfletuesit konkurrues të internetit, ka një opsion të shfletimit anonim të përdorur shpesh. Kur navigoni në mënyrë anonime, Chrome nuk e mban mend historinë tuaj të shfletimit, kështu që ky opsion përdoret kur nuk dëshironi që të tjerët të shohin atë që keni shfletuar dhe kërkuar në internet.

Si një shtresë shtesë e mbrojtjes në telefonat inteligjentë, në fillim të vitit 2021, Google prezantoi një opsion që kërkon që fillimisht t’i zhbllokoni skedat duke përdorur biometrikë, pra përmes sensorit të gjurmës së gishtit ose shikimit, përpara se ta hapni dritaren anonime. Gjegjësisht, në rast se i jepni telefonin tuaj dikujt që të shikojë diçka në të dhe ai person hap një dritare anonime, ai mund të shohë atë që po shikonit në internet.

Në rastin kur aktivizohet opsioni i mbrojtjes së gjurmëve të gishtërinjve ose njohjes së fytyrës, askush përveç pronarit të telefonit nuk do të mund të hyjë në ato dritare dhe skeda.

Ky opsion ka qenë i disponueshëm për disa kohë për përdoruesit e pajisjeve Apple, dhe Google njoftoi këtë javë se i njëjti opsion tani është i disponueshëm për pajisjet Android. Nuk është i disponueshëm për të gjithë për momentin, por nuk duhet të kalojë shumë kohë para se të gjithë përdoruesit e Chrome në Android të mund ta përdorin atë. Opsioni për t’i mbrojtur dritaret e fshehta mund të aktivizohet (kur të bëhet i disponueshëm) nën kategorinë e privatësisë dhe sigurisë në cilësimet e Android, dhe aty duhet ta aktivizoni bllokimin e dritareve të fshehta pasi të dilni nga Chrome.

Zyrtarë nga Google thonë se ata e prezantuan këtë opsion si pjesë e ditës së mbrojtjes së privatësisë dhe kompania, natyrisht, do të vazhdojë të punojë në zhvillimin e opsioneve të reja për ta rritur sigurinë dhe për ta mbrojtur privatësinë e përdoruesit./Android Authority

 

Përgatiti: Nuhi Shala