Google dhe Renault dakordohen të bashkëpunojnë në zhvillimin e një platforme softuerike për automjete

Duke e pasur parasysh faktin se automjetet e sotme janë të mbushura me teknologji, nuk është çudi që ato po quhen gjithnjë e më shumë si kompjuterë me rrota.

Kjo mbështetet nga fakti se gjithnjë e më shumë kompani teknologjike – nga Google tek Foxconn dhe Xiaomi (përmendet edhe Apple) – po hyjnë në këtë treg me teknologjinë e tyre ose me zhvillimin e automjeteve të tyre.

Gjithashtu, kompanitë e teknologjisë kanë nënshkruar partneritete të ndryshme ndër vite me qëllim zhvillimin e teknologjisë dhe softuerit për automjetet.

Katër vite më parë Google nënshkroi një partneritet të tillë me një shoqatë që përfshin kompanitë e famshme të automjeteve Renault, Nissan dhe Mitsubishi dhe tani kanë paralajmëruar një bashkëpunim të ri, por këtë herë vetëm me Renault.

Ndër të tjera, ky bashkëpunim përfshin zhvillimin e një platforme të avancuar softuerike që do t’i drejtonte automjetet e ardhshme dhe duhet të ndërtohet në sistemin operativ Android Automotive të Google.

Përveç vetë Renaultit, platforma do të zhvillohet për automjete të tjera të mbuluara nga kjo markë franceze – Dacia, Alpine dhe Mobilize. Si pjesë e partneritetit të rënë dakord, kompanitë e sipërpërmendura do të përdorin cloud të Google, në të cilën do t’i dërgojnë të dhënat e mbledhura për përpunim.

Siç shpjegohet në The Verge, Google dhe Renault synojnë të krijojnë një “binjak dixhital” të automjeteve, pra një version virtual të automjetit që do të përdorë aftësi të avancuara të inteligjencës artificiale për integrim më të thjeshtë dhe të vazhdueshëm të shërbimeve të reja në automjete dhe zhvillimin e aplikacioneve që do të përdoret brenda dhe jashtë automjetit. Pra, në një mjedis virtual, kompania do ta testojë softuerin dhe opsionet e reja dhe do të ndihmojë në funksionimin e automjetit përmes diagnostikimit në kohë reale, kështu që bazuar në këto të dhëna, vetë automjeti duhet ta paralajmërojë shoferin për nevojën e mirëmbajtjes së automjetit ose, në varësi të situatën, madje mund ta zgjidhë vetë problemin. 

Gjithashtu, softueri duhet t’i lejojë ngasësit të krijojnë përvoja të personalizuara që përfshijnë sjelljen e shoferit, vendndodhjet e vizituara më shpesh, si dhe vendndodhjet e karikuesit, dhe falë të dhënave nga automjeti, mund të bihet dakord edhe për modelin e duhur të sigurimit.

Google ka bërë një rrugë të gjatë në këtë treg për më shumë se një dekadë. Ata ishin ndër kompanitë e para të teknologjisë që filluan të zhvillonin teknologji autonome, dhe sot automjetet e tyre pa shofer transportojnë pasagjerë në disa qytete amerikane dhe ata po planifikojnë të zgjerohen në qytete të tjera. /The Verge

Përgatiti: Nuhi Shala