Gjithnjë e më shumë shtete po e ndalojnë TikTok-un

TikTok ka qenë në telashe për disa kohë me politikanët në Bashkimin Evropian, Kanada, Zelandën e Re, Shtetet e Bashkuara, Tajvan dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku aplikacioni në fjalë është ndaluar nga pajisjet e përdorura nga zyrtarët e qeverisë për shqetësime të sigurisë kombëtare.

Aplikacioni nuk është ndaluar plotësisht, por Mbretëria e Bashkuar dhe autoritetet e tjera i kanë paralajmëruar përdoruesit që të jenë të vetëdijshëm për politikat e menaxhimit të të dhënave të çdo rrjeti social që përdorin ose synojnë të përdorin.

India, ku ka qenë në fuqi që nga viti 2020, dhe Afganistani, ku talebanët në pushtet besojnë se po i çon rininë në drejtimin e gabuar, kanë vendosur për një ndalim të plotë.

Pakistani, Jordania, Indonezia dhe Bangladeshi e kanë bllokuar TikTok-un për përmbajtje të papërshtatshme dhe Douyin – aplikacioni i tij simotër në Kinë – është i kufizuar për fëmijët nën 14 vjeç.

Është pjesërisht ose plotësisht e ndaluar për përdorim në pajisjet zyrtare të nëpunësve civilë në Belgjikë, Danimarkë, Letoni dhe Holandë.

Nuk është plotësisht e qartë pse kërcënimi ndaj nëpunësve civilë nuk vlen edhe për qytetarët e angazhuar në profesione potencialisht të ndjeshme, si gazetarët, avokatët, mjekët dhe të ngjashme.

Çfarë është, në fakt, e diskutueshme rreth TikTok-ut?

Problemi është se ByteDance, kompania që e zotëron TikTok-un, ndodhet në Kinë, ku mund të bëhet presion nga autoritetet për të dorëzuar të dhëna për përdoruesit e saj, të cilat më pas mund të përdoren për qëllime që nuk lidhen me reklamat dhe gjenerimin e të ardhurave në përgjithësi.

Ndër të dhënat në të cilat mund të ketë qasje TikTok janë kontaktet, vendndodhjen gjeografike, kalendari i përdoruesit, aplikacione të tjera që funksionojnë, rrjetet Wi-Fi dhe madje edhe numri serial i SIM kartës.

Frika bazohet, ndër të tjera, në një ligj kinez të vitit 2017 që kërkon që të gjitha organizatat dhe individët të mbështesin, ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me operacionet e inteligjencës kombëtare.

TikTok pretendon se nuk kanë marrë një kërkesë të tillë nga autoritetet kineze. Nëse do ta merrnin, theksojnë se do ta refuzonin.

Ata gjithashtu pretendojnë se të dhënat e përdoruesve të TikTok jashtë Kinës janë të vendosur në serverët e internetit në Singapor dhe Shtetet e Bashkuara.

Ata propozuan ruajtjen e të dhënave të përdoruesve në Bashkimin Evropian dhe SHBA në serverët e furnizuesve të jashtëm në Irlandë, Norvegji dhe SHBA.

Nuk mjaftojnë lëshimet

Kjo nuk mjaftoi për t’i qetësuar kritikët, të cilët gjithashtu paralajmërojnë se autoritetet kineze mund ta manipulojnë algoritmin e rekomandimeve të TikTok, i cili tregon përmbajtjen në burimin “Për ty”.

TikTok shtoi gjithashtu një shtesë në politikën e tij të privatësisë për përdoruesit në Evropë, duke sqaruar se si të dhënat e tyre mund të qasen vërtet në Kinë, në rrethana të caktuara.

Gjithçka që kanë bërë në TikTok deri më tani nuk u mjaftoi autoriteteve amerikane, ndaj kërkuan që ByteDance t’i shesë aksionet e tij në TikTok, në të kundërt do të ndalohen plotësisht nga tregu ku kanë më shumë se njëqind milionë përdorues.

Aktualisht, 60 përqind e TikTok-ut mbahet nga investitorë privatë (përfshirë kompaninë amerikane KKR), 20 përqind nga punonjësit dhe 20 përqind nga themeluesit Zhang Yiming dhe Liang Rubo.

Konfirmimi për skepticizmin amerikan erdhi në formën e një hetimi të BuzzFeed, i cili tregoi se si inxhinierët kinezë kishin qasje në të dhënat e përdoruesve amerikanë të ruajtura në SHBA.

TikTok gjithashtu pranoi se punonjësit e tij e përdorën aplikacionin për t’i spiunuar gazetarët, shkruan  The Guardian.

Përgatiti: Nuhi Shala