Gjenerata e re e iPhone-ve do të vijë me opsione shumë interesante

Vetëm pak ditë pasi u shfaq në treg gjenerata e re e telefonave Apple iPhone 14, në internet tashmë kanë filluar të përhapen thashethemet për modelet e serisë iPhone 15, të cilat Shefi Ekzekutiv i Apple, Tim Cook dhe ekipi, duhet t’i prezantojnë vetëm në shtator të vitit të ardhshëm.

Sipas këtij informacioni, të gjitha modelet duhet ta kenë opsionin Dynamic Island (i cili këtë vit u prezantua vetëm në pajisjet nga seria Pro) dhe folenë USB-C, që është një opsion që Apple po e prezanton për shkak të presionit të BE-së në lidhje me standardizimin e karikuesve.

Gjithashtu, në të gjitha ose vetëm modelet Pro, nuk do të ketë më butona klasikë për ndezjen/fikjen e pajisjes dhe ngritjen dhe uljen e volumit, por ato do të zëvendësohen nga butona të ndjeshëm në prekje.

Për vitin e ardhshëm përmendet edhe modeli i iPhone 15 Ultra, i cili do të jetë ose zëvendësim për modelin Pro Max ose model krejtësisht i ri.

Një tjetër informacion i ri për iPhone 15 u shfaq këtë javë, i cili lidhet me kamerat. Gjenerata e ardhshme e telefonave Apple do ta përdorë teknologjinë më të fundit të sensorëve nga Sony, e cila do të lejojë që fotografitë të bëhen me një gamë më të lartë dinamike.

Kjo do të dalë veçanërisht në plan të parë kur fotot janë të ekspozuara tepër, domethënë kur detajet humbasin në pjesët më të ndritshme të një fotoje me sfond të hapur, ose në pjesët më të errëta të fotove të errëta.

Për ta arritur këtë, inxhinierët e Sony përdorën një “arkitekturë të re gjysmëpërçuese”, dhe përveç pajisjeve të Apple, kjo teknologji duhet të jetë në dispozicion edhe për prodhuesit e tjerë, pra për telefonat e tyre.

Përmirësimet më të mëdha në lidhje me kamerat priten të vijnë në modelin iPhone 15 Pro, i cili gjithashtu duhet të marrë një lente periskopi me një sistem të ri pasqyre dhe një zmadhim optik edhe më të madh, që të gjitha do të rezultojnë në foto edhe më të mira, dhe nuk është e vështirë të arrini në përfundimin se ky do të jetë një nga telefonat më interesantë në treg nga ata që janë të apasionuar pas fotografisë./Phone Arena

Përgatiti: Nuhi Shala