Fundi i monopolit të Google në tregun e telefonave mobil?

Edhe pse tregu i telefonave celularë është jashtëzakonisht i madh dhe bëhet fjalë për miliarda njerëz në të gjithë planetin, është interesant fakti se kur bëhet fjalë për sistemet operative për telefona, përdoruesit nuk kanë shumë zgjedhje. Kjo zgjedhje është e kufizuar vetëm për pajisjet Apple, dmth iPhone ose sistemin operativ celular të Google. Duke qenë se nuk ka konkurrencë, këto kompani mund t’i vendosin rregullat e tyre që shumëkujt nuk i pëlqejnë, gjë që i referohet në radhë të parë marrjes së komisioneve përmes dyqaneve të aplikacioneve, e cila ka rezultuar të jetë një temë e nxehtë mes zhvilluesve dhe Apple, pra Google.

Në disa vende, situata është e tillë që Google është një monopoliste dhe zotëron pothuajse të gjithë tregun e telefonave të mençur, kështu që në Indi Android zë 97 për qind të tregut, domethënë shumica e rreth 600 milionë pronarëve të telefonave të mençur kanë Android të instaluar në pajisjet e tyre, sipas një raporti të Counterpoint Research.

Për shkak të një situate të tillë, organi rregullator për konkurrencën në Indi arriti në përfundimin vitin e kaluar se Google po e shfrytëzon pozicionin e tij dominues në treg dhe i urdhëroi ata t’i largojnë kufizimet që kishin vendosur për prodhuesit e telefonave inteligjentë, dmth, ndër të tjera, për aplikacionet e para-instaluara. Gjithashtu i gjobitën me 161 milionë dollarë. Google ka paraqitur një apel kundër atij vendimi, por Gjykata e Lartë indiane e ka hedhur poshtë ankesën e tyre.

Google pretendon se një vendim i tillë do të ndikojë negativisht në përdoruesit e Android në atë vend dhe se ata duhet t’i ndryshojnë kontratat me më shumë se 1100 prodhues të pajisjeve.

Për të mos u varur aq shumë nga Google, qeveria indiane njoftoi zhvillimin e një sistemi operativ vendas dhe këtë javë ata njoftuan se filluan testimin e BharOS. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë, por nëse ia dalim, monopoli i cilësdo palë do të zhduket, ka komentuar ministri indian i sipërmarrjes Dharmendra Pradhan në aktivitetin gjatë prezantimit të këtij sistemi operativ.

Reuters raporton se kryeministri Modi e ka promovuar vetë-mjaftueshmërinë e Indisë në vitet e fundit në të gjitha kategoritë – nga prodhimi vendas te startup-et vendase, dhe zhvillimi i një sistemi operativ vendas është vetëm një nga hapat në këtë drejtim./Dnevnik.hr

 

Përgatiti: Nuhi Shala