Francë, vetura elektrike me qira prej vetëm 100 euro në muaj

Qeveria në Francë ka një përllogaritje të thjeshtë me të cilën dëshiron t’i nxisë njerëzit të marrin vetura elektrike – me subvencione, domethënë duke i bërë çmimet e automjeteve sa më të ulëta.

Kjo nuk vlen vetëm për veturat, por kanë paralajmëruar edhe subvencione të mëdha për shoferët që i zëvendësojnë veturat e vjetra me benzinë ​​dhe naftë me biçikleta elektrike. Shuma maksimale e subvencionit për biçikletat elektronike që mund të merret është 4 mijë euro.

Gjithashtu, siç zbulohet nga Electrek, ata janë duke përgatitur një tjetër lëvizje me të cilën shpresojnë ta rrisin shumë numrin e automjeteve elektrike në rrugët e Francës.

Ndonëse ende nuk dihen të gjitha detajet, ata synojnë t’i lejojnë francezët të marrin me qira vetura elektrike me një çmim prej vetëm 100 euro në muaj. Edhe pse nuk janë publikuar informacione dhe detaje më specifike për modelet që do të jenë në dispozicion me atë çmim, mediat përmendin automjete elektrike si Renault Twingo dhe Fiat 500.

Siç ka deklaruar ministri i qeverisë franceze Gabriel Attal, shumica e shoferëve në atë vend lënë më shumë se 100 euro në muaj në pikat e karburantit, kështu që kursimet që mund të arrihen me automjetet elektronike janë të qarta, edhe në situatën aktuale dhe rritjen e madhe të çmimit të energjisë elektrike.

Gjatë fushatës së fundit zgjedhore presidenciale, Emmanuel Macron premtoi ta nisë një program të dhënies me qira të veturave elektrike për familjet që nuk mund të përballojnë automjete elektrike, edhe pas subvencioneve të qeverisë. Këto subvencione në Francë janë aktualisht deri në 6,000 euro për vetura me çmim deri në 47,000 euro dhe ekziston mundësia e subvencioneve shtesë për ngasësit që i zëvendësojnë automjetet e vjetra me motorë me djegie të brendshme me vetura elektrike, si dhe në rastin e zëvendësimit me biçikleta elektronike.

Gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, pesha e veturave elektrike në shitjet totale ishte 12 për qind dhe me masa të reja dhe çmime më të favorshme, kjo përqindje mund të rritet ndjeshëm./Electrek