Facebook vjen me rregulla të reja: A jeni i sigurt që doni ta ndani këtë artikull?

Facebook ka njoftuar përmes Twitter se do të fillojë testimin e një pop-up (shirit njoftimi që shfaqet në ekran) duke i pyetur përdoruesit nëse janë të sigurtë se duan ta ndajnë një artikull të cilin nuk e kanë hapur ende. Ky Pop-up do t’i nxisë përdoruesit ta lexojnë artikullin, por ata gjithashtu mund të zgjedhin të vazhdojnë ta ndajnë atë nëse duan. Një zëdhënës i kompanisë Facebook ka deklaruar se testi do të shpërndahet në 6 për qind të përdoruesve të Android në të gjithë botën.

Pop-up-i është i ngjashëm me atë të Twitter-it, të cilin filloi ta testojë në qershor të vitit 2020. Zbatimi i funksionit nga Twitter mund të jetë i bezdisshëm për përdoruesit të cilët e kanë lexuar artikullin diku tjetër dhe vendosin ta ndajnë kur e shohin se shfaqet në murin e tyre (Newsfeed).

Facebook thotë se ky pop-up ka për qëllim t’i ndihmojë njerëzit të jenë më të informuar në lidhje me artikujt që ata ndajnë, ka të ngjarë si një përpjekje për ta luftuar përhapjen e dezinformatave me të cilat kjo platformë ka pasur probleme në të kaluarën. Siç paralajmëron njoftimi në fjalë, moshapja e artikullit mund të rezultojë në “humbjen e fakteve kryesore”, me tituj që shpesh nuk e shfaqin ngjarjen apo historinë komplete.

Përktheu: Nuhi Shala