Facebook planifikon lansimin e Instagram Kids, avokatët në Amerikë dalin kundër

Shoqata Kombëtare e Avokatëve Amerikanë (NAAG) i ka bërë thirrje Facebook-ut që të heqë dorë nga planet për ta lansuar një version në Instagram për fëmijët nën moshën 13 vjeç, Instagram Kids, duke përmendur shqetësimet në lidhje me sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve dhe dëmin që rrjetet sociale mund ta shkaktojnë tek ata, shkruan CNN.

Përmes një letre drejtuar Shefit Ekzekutiv të Facebook, Mark Zuckerberg, 44 avokatë kryesorë shtetërorë dhe rajonalë argumentojnë se media sociale mund të jetë e dëmshme për fëmijët “për një mori arsyesh” dhe se Facebook nuk ka arritur ta mbrojë mirëqenien e fëmijëve në platformat e tij në praktikën e tij deri më tani. Si shembull, ata përmendin aplikacionin Messenger Kids të Facebook, i cili sipas tyre përmbante një mosfunksionim i cili u epte mundësinë fëmijëve t’i anashkalojnë kufizimet dhe ti bashkohen bisedave në grupe me të huaj.

“Facebook duket se nuk i përgjigjet nevojës, por e krijon atë, sepse kjo platformë pëlqehet kryesisht nga fëmijët që përndryshe nuk kanë ose nuk do të kishin një llogari në Instagram. Me pak fjalë, platforma Instagram për fëmijët është e dëmshme për një mori arsyesh. Avokatët apelojnë tek Facebook të heqë dorë nga planet e tij për ta lansuar atë platformë të re,” thuhet në letër.

Avokatët argumentojnë se mediat sociale mund ta dëmtojnë mirëqenien fizike, emocionale dhe mendore të fëmijëve. Ata citojnë ngacmimet kibernetike në Instagram dhe përdorimin e platformës nga njerëzit që shfrytëzojnë fëmijët në mënyra të ndryshme si fenomene të dëmshme.

“Fëmijët nuk janë të aftë ta përballojnë kompleksitetin e asaj që hasin në internet, duke përfshirë reklamimin, përmbajtjen e papërshtatshme dhe marrëdhëniet me të huajt”, thuhej në letër. Përmendet një studim që gjeti një rritje prej 200 për qind të rasteve të raportuara të përdorimit të Instagram për abuzimin e fëmijëve gjatë periudhës gjashtëmujore 2018. Vetëm në vitin 2020, Facebook dhe Instagram raportuan 20 milionë imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve, thuhet tutje në këtë letër.

Ngacmimi në internet është gjithashtu një nga shqetësimet kryesore. Një sondazh i vitit 2017 zbuloi se 42 për qind e përdoruesve të rinj të Instagram përjetuan ngacmim në internet në Instagram, përqindja më e lartë e çdo platforme të vëzhguar. Ndërkohë që fëmijët kalojnë më shumë kohë në internet gjatë pandemisë Covid-19, këto probleme ka të ngjarë të përkeqësohen, paralajmërojnë avokatët amerikanë.

 

Përmblodhi dhe përktheu: Nuhi Shala