Foto: EPA/JOHN G. MABANGLO

Facebook ka fshirë mbi 20 milionë postime në betejën kundër dezinformatave rreth COVID-19

Rrjeti social shumë popullor, Facebook, po përballet me presion në rritje – asaj i kërkohet të angazhohet më shumë kundër dezinformatave të ndërlidhura me vaksinat.

Facebook dhe Instagram kanë fshirë mbi 20 milionë postime që përmbajnë informacione të pasakta në lidhje me COVID-19, por ata ende nuk janë të sigurt saktësisht se sa dezinformata të tilla ka në rrjetet sociale.

Siç raporton web faqja për teknologji, Cnet, Facebook ka bërë matjen e përmbajtjeve të tjera, të tilla si gjuha e urrejtjes dhe lakuriqësia, sepse kompanitë ofrojnë njohuri se cilat postime i kanë humbur moderatorët. Prezantimi i një mase anti-dezinformimi në lidhje me pandeminë COVID-19 është një punë më komplekse. “Kur flasim për COVID, gjërat ndryshojnë shumë shpejt për të përcaktuar numrin e tyre në krahasim me të tjerët,” tha Guy Rosen, zv/shefi i Facebook për çështje të integritetit.

Ky vendim nga Facebook vjen  një muaj pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se rreth 12 persona janë përgjegjës për krijimin e 65 për qind të dezinformatave në lidhje me vaksinat në mediat sociale, pa asnjë pasojë për llogaritë e tyre. Pavarësisht reagimit të Facebook kundër përgjegjësve, ligjvënësit amerikanë vazhduan të akuzojnë mediat sociale për përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me virusin dhe vaksinat.

“Të qenit i sinqertë në mes të një pandemie është një nga detyrat më të rëndësishme, por Facebook ende refuzon të jetë i drejtpërdrejtë në lidhje me sasinë e dezinformatave që përhapen nëpër rrjetet e tyre,” thotë deklarata nga Shtëpia e Bardhë.

Facebook ka njoftuar se ndjek mbi 65 kritere për fshirjen e postimeve dhe llogarive në lidhje me dezinformatat. Kompania shtoi njoftime të rreme në listë se vaksinat shkaktojnë sëmundjen e Alzheimerit dhe se qëndrimi pranë njerëzve të vaksinuar mund të shkaktojë probleme shëndetësore. Facebook po ashtu bëri të ditur se kishte fshirë mbi 3,000 llogari, faqe dhe grupe që shkelin rregullat kundër Covid-19, dhe se ka dërguar paralajmërime për mbi 190 milionë postime që, siç thonë ata, janë të rreme.

Përktheu: Nuhi Shala