Facebook dhe Instagram do të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së fotove intime të adoleshentëve

Kompania Meta po ndërmerr masa të reja lidhur me premtimin e saj për ta luftuar zhvatjen seksuale dhe format e tjera të abuzimit seksual të fëmijëve.

Meta raportoi se Facebook dhe Instagram janë anëtarë themelues të nismës Take It Down të ​​Qendrës Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC), e cila i ndihmon të rinjtë dhe prindërit e tyre t’i heqin fotot intime të postuara në internet. Sistemi mbështetet në fotot e ruajtura në vend, por teorikisht e mbron privatësinë.

Përdoruesit e shqetësuar mund ta vizitojnë faqen e internetit Take It Down për të mundësuar identifikimin e fotove ose klipeve në pajisje dhe për të gjeneruar hash (një gjurmë gishti dixhitale unike). Skedarët nuk shkarkohen nga pajisja, por hashet krijohen dhe shtohen në listën NCMEC. Nëse Facebook, Instagram ose anëtarë të tjerë të programit i shohin këto hashe, ata mund ta bllokojnë përhapjen e përmbajtjes.

Meta thotë se Take It Down mund të përdoret edhe nga persona mbi 18 vjeç për t’i hequr fotot e vjetra të publikuara kur ishin më të rinj.

NCMEC paralajmëron se platformat kanë “opsione të kufizuara” për ta hequr përmbajtjen që është tashmë në linjë, por mund të ndihmojnë ende për të zbutur ose kthyer dëmin e shkaktuar nga ndarja e padëshiruar.

Në nëntor, Meta i njoftoi planet për ta goditur zhvatjen seksuale si pjesë e një goditjeje më të gjerë ndaj të rriturve “të dyshimtë” që u dërgojnë mesazhe adoleshentëve. Projekti është një vazhdim i teknologjisë StopNCII që kompania zhvilloi për ta luftuar pornografinë hakmarrëse dhe ndan një zbatim të ngjashëm. Kjo është e fundit në një sërë përpjekjesh për mbrojtjen e adoleshentëve në rrjetet sociale të Meta-s. Kompania tashmë e kufizon përmbajtjen e ndjeshme për adoleshentët që përdorin Instagram dhe i kufizon reklamat që e kanë si synim audiencën e re.

Megjithatë, këto aktivitete nuk janë tërësisht vullnetare, pasi Meta është nën presionin e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së dhe organeve të tjera qeveritare për të treguar se kompania po i mbron adoleshentët, veçanërisht në dritën e akuzave të sinjalizueses Frances Haugen, e cila pretendon se kompania i ka minimizuar rezultatet e kërkimit në ndikimin e Instagramit në shëndetin mendor.

Një platformë e re për heqjen e përmbajtjes mund ta largojë një pjesë të presionit duke u dhënë viktimave të abuzimit më shumë kontroll mbi praninë e tyre në internet./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala