Elon Musk ua rikthen qasjen në Twitter gazetarëve të suspenduar ditë më parë

Elon Musk e ka hequr pezullimin e llogarive në Twitter të disa gazetarëve të cilët i kishte ndaluar ditë më parë, pas një sondazhi të dytë që ai bëri për këtë temë e ku rezultati ishte pro heqjes së pezullimit.

Të enjten, Musk pezulloi një grup gazetarësh të teknologjisë nga nga qasja në Twitter, duke përfshirë Ryan Mac nga New York Times, Drew Harwell nga Washington Post dhe Donie O’Sullivan të CNN, për atë që ai tha se ishin shkelje të rregullit të ri të kompanisë për zbulimin e vendndodhjeve të njerëzve.

Pasi një sondazh fillestar doli në mbështetje të një ndryshim të menjëhershëm të ndalimeve të enjten, Musk tha se ka shumë opsione dhe zhvilloi një tjetër sondazh për 24 orë me vetëm dy opsione: të mbahej edhe më tutje  ndalesa në fuqi për shtatë ditë ose të hiqet menjëherë kjo ndalesë.

Pas afro 3.7 milionë votash, përdoruesit votuan për heqjen e ndalesës nga 58.7% në 41.3%.

Në një postim në Twitter pak më vonë, Musk tha se do t’i heqë ndalesat dhe disa nga ata përdorues u kthyen në platformë.

“Populli ka folur”, shkroi Musk në Twitter.

Rregulli i ri ndalon përdoruesit të publikojnë “informacion të drejtpërdrejtë të vendndodhjes” që do ta “zbulonte vendndodhjen e një personi, pavarësisht nëse ky informacion është i disponueshëm publikisht”.

Pezullimi i llogarive të gazetarëve që e mbulojnë Musk u dënua gjerësisht nga punëdhënësit e tyre, organizata të tjera mediatike, BE dhe Kombet e Bashkuara./The Guardian