Elon Musk mbart mbi vete një rekord të jashtëzakonshëm negativ

Pas një kohe kur kompanitë dhe individët thyen rekorde (pozitive) sa i përket vlerës së tregut të kompanive dhe pasurisë personale, së fundmi rekordet janë thyer sërish – por kësaj radhe ato janë negative.

Tashmë e kemi përmendur një rekord të tillë të Amazon, e cila u bë kompania e parë publike në botë që humbi një trilionë dollarë në vlerën e tregut.

Elon Musk tani është bërë pronar i një rekordi të tillë negativ. Domethënë, edhe pse ende nuk ka pse të frikësohet për financat e tij, Musk u bë personi i parë në botë që humbi 200 miliardë dollarë, pra pasuria e të cilit u zvogëlua për atë shifër.

Është interesante se edhe në mesin e vitit të kaluar, mediat spekuluan se Shefi Ekzekutiv i Tesla-s dhe pronari aktual i Twitter-it mund të bëhej miliarderi i parë në histori dhe sipas disa parashikimeve, duhej të ishte që në vitin 2024. Por që të ndodhte një gjë e tillë ishte e nevojshme rritja e vazhdueshme e vlerës së kompanive të Musk dhe gjendjes së tij financiare sigurisht që nuk e ndihmoi blerja e Twitter-it, rrjeti social për të cilin ai pagoi 44 miliardë dollarë.

Pak më shumë se një vit më parë, në nëntor të vitit 2021, pasuria e Musk ishte rreth 340 miliardë dollarë. Ishte në një kohë kur, pavarësisht nga pandemia, kufizimet dhe bllokadat, biznesi po lulëzonte. Më pas filloi rënia, e cila u përshpejtua më tej nga lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike.

Rezultatet e gjithë kësaj ndjehen tani nga e gjithë bota në formën e inflacionit të lartë dhe, siç parashikojnë analistët, recesionit të ardhshëm.

Elon Musk e ka ndjerë këtë rënie të pasurisë së tij, e cila, sipas të dhënave të fundit të Bloomberg, tani arrin në “vetëm” 137 miliardë dollarë.

Musk humbi pjesën më të madhe të pasurisë së tij përmes aksioneve të Tesla. Vlera e tregut e prodhuesit më të madh të automjeteve elektrike dikur ishte më shumë se një trilion dollarë dhe tani është rreth 385 miliardë, çka tregon qartë se sa ka rënë kjo vlerë.

Musk, natyrisht, nuk është i vetmi pasanik që humbi shumë para, por llogaria e tij ishte më e prekura.

Gjatë vitit të kaluar, miliarderët e botës humbën pothuajse dy trilionë dollarë pasuri, dhe më humbjen më të madhe e pësuan pasanikët amerikanë, të cilët humbën rreth 660 miliardë dollarë, me Elon Musk që humbi më së shumti./ Huffington Post