Elon Musk i 'gatshëm për luftë' me Apple

Apple dikur ishte një nga reklamuesit më të mëdhenj në Twitter, por sikurse disa kompani të tjera të mëdha, kompania më e vlefshme në botë vendosi të heqë dorë përkohësisht nga reklamat në atë rrjet social. Ky informacion është shpërndarë në Twitter nga shefi i ri i kwtij rrjeti social, Elon Musk, i cili, natyrisht, nuk është i lumtur për humbjen e reklamuesit më të madh, por nuk është i kënaqur as me politikën e Apple për marrjen e komisionit për çdo blerje në  Dyqanin e Aplikacioneve.

Duke pasur parasysh që Musk dëshiron t’i rrisë shumë të ardhurat nga abonimet, ai natyrisht është i mërzitur që Apple po merr gati një të tretën e tarifave të abonimit që përdoruesit paguajnë për Twitter Blue.

Për shkak të kësaj, Musk ka thirrur shefin e Apple, Tim Cook, madje shkroi se Apple i kërcënon ata se mund ta heqin plotësisht Twitter-in nga App Store. Musk kishte njoftuar më parë se në një rast të tillë mund të bënte një smartphone alternativ, por është e qartë se nëse rrjeti i tij social nuk do të ishte i disponueshëm në iPhone, do të ishte një fatkeqësi për të.

Musk gjithashtu postoi një meme në Twitter që sugjeronte se ai ishte “gati të futej në luftë” me Apple në vend që të paguante atë komision. Në kritikat e tij për kompaninë dhe mënyrën e tyre të të bërit biznes, pra marrjen e një komisioni, Musk ka dy aleatë të mëdhenj që kanë luftuar për gjëra të ngjashme prej vitesh – Epic dhe Spotify.

Të dyja kompanitë tashmë kanë ngritur padi kundër Apple – Spotify i padit në Evropë, ndërsa Epic e filloi betejën ligjore në SHBA dhe pyetja është nëse pronari i ri i Twitter do të vendosë për një lëvizje të ngjashme. Nëse Twitter hiqet nga App Store, Apple kërcënohet me një padi të re, komentoi analisti Luke Suddards dhe paralajmëroi se kur Musk bleu Twitter-in, ai tashmë tregoi se me sa shkathtësi mund të përdorë një betejë gjyqësore në avantazhin e tij.

Por jo të gjithë analistët pajtohen me një mendim të tillë. Sipas Paolo Pescatore nga PP Foresight, një betejë e mundshme me Apple mund të reflektojë negativisht në Twitter, domethënë mund t’i largojë përdoruesit sepse ata janë mësuar të përdorin iPhone dhe sigurisht që nuk do t’i ndryshojnë telefonat e tyre për shkak të Musk./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala