E ardhmja e karikimit të iPhone-ve pritet të jetë plotësisht përmes valëve

Apple ka vite që e përdor konektorin Lightning në iPhone përmes të cilit telefoni lidhet me karikuesin, por që nga viti 2023 kjo duhet të ndryshojë.

Kjo pas vendimit të Komisionit Evropian që nga shtatori i vitit 2024, telefonat dhe shumë pajisje të tjera të shitura në vendet e BE-së do të duhet të kenë të njëjtin port karikimi – USB-C.

Sipas Mark Gurman, analist nga Bloomberg, edhe pse Apple e kundërshtoi vendimin, ata janë duke u përgatitur për të prej disa kohësh. Disa nga pajisjet e tyre tashmë përdorin USB-C dhe telefonat janë të radhës. Me iPhone 15, lidhësi Lightning mbetet në histori (përveç nëse Apple e prezanton atë në gjeneratën e re të modelit më të lirë SE), por Apple nuk e konsideron USB-C as si një zgjidhje të përhershme, por vetëm një zgjidhje të përkohshme.

Ne mund ta presim këtë port në gjeneratat e ardhshme të iPhone dhe iPad (disa modele tashmë kanë një port USB-C), dhe pas kësaj Apple duhet ta prezantojë zgjidhjen e saj të përhershme. Kjo zgjidhje nuk duhet të përfshijë fare kabllo, por pajisjet e tyre celulare duhet të karikohen vetëm me valë.

Modele të shumta të telefonave të mençur e kanë suportuar karikimin pa tel për vite me radhë, por këto pajisje mund të karikohen ende me kabllo, që zakonisht është më i shpejtë. Në rastin e iPhone-ve të ardhshëm, plani i Apple është t’i eliminojë plotësisht portat fizike dhe të lejojë vetëm karikim me valë, pa asnjë alternativë.

Se diçka e tillë nuk është e thjeshtë, mund ta shihnim me shembullin e karikuesit të tyre pa tel që ata e paralajmëruan disa vite më parë, por në fund hoqën dorë prej tij. Nëse planet e tyre janë vërtet me valë, siç pretendon ky analist, është e qartë se ata duhet t’i prezantojnë edhe karikuesit e tyre pa tel.

Deri në vitin 2024 në Bashkimin Evropian do të ekzistojë një pajisje e njëjtë për mbushje të baterive të telefonave, tabletëve dhe kamerave.

Parlamenti Evropian ka votuar më 4 tetor 2022 në të mirë të këtij ndryshimi, me 602 vota për dhe vetëm 13 vota kundër.

Kompania amerikane Apple pritet të preket më së shumti nga ky vendim, pasi nënkupton që ajo duhet të ndryshojë portën e mbushjes së baterive të pajisjeve të saj./Bloomberg