Dizajneri nga Koreja e Jugut krijon ‘Syrin e Tretë’ që paralajmëron për pengesa teksa ecim duke shikuar në telefon

Dizajneri industrial i Koresë së Jugut ka ardhur me një zgjidhje satirike për “mumjet e smartfonëve” që nuk mund t’i largojnë sytë nga ekrani as për ta ndalur veten nga goditja e ndonjë muri apo pengese tjetër.

Paeng Min-wook, 28 vjeç, ka zhvilluar një sy robotik, që e ka quajtur “Syri i tertë”, të cilin përdoruesit e fiksuar të telefonave mund ta vendosin në ballë në mënyrë që të mund të shfletojnë pa lëndime gjatë lëvizjes.

Pajisja hap kapakun e tij të lëvizshëm sa herë që ndjen se koka e përdoruesit është e ulur duke parë në telefon.

Kur përdoruesi gjendet 1-2 metra afër ndonjë pengese, pajisja bënë zhurmë për të paralajmëruar rrezikun  e afërt.

“Kështu duket e ardhmja e njerëzimit me tre sy”, tha Paeng i diplomuar në inxhinierinë e dizajnit dhe inovacionit në Kolegjin Mbretëror të Artit në Londër, derisa po demonstronte përdorimin e ‘Syrit të tretë’ nëpër Seul.

“Derisa ne nuk arrijmë t’i largojmë sytë nga telefoni, syri shtesë do jetë i nevojshëm në të ardhmen”.

Mjeti i shpikur nga Paeng përdorë një sensor për të matur këndin e zhdrejtë të qafës së përdoruesit dhe një sensor zanor për të llogaritur distancën mes syrit robotik dhe pengesave para nesh.

Të dy sensorët janë të lidhur me një mikrokontrollues me vetëm një bord, burim të hapur dhe vendi për bateri.

Demonstrimi i tij nëpër rrugët e Seulit gjatë kësaj jave, tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve.

“Mendova se dukej si alien me një sy në ballin e tij”, tha banori Lee.

“Këto ditë shumë të rinj mund të përfshihen në aksidente derisa përdorin telefonat e tyre. Kjo do ishte diçka e  mirë për ta”.

Paeng tha se ‘Syri i tretë’ kishte qëllim paralajmërimin, jo një zgjidhje reale për përdoruesit e varur të telefonave të cilët nuk i kushtojnë vëmendje rrugës teksa ecin. reuters

Përktheu: Ardita Zeqiri