Detaje për automjetet e reja elektrike 'Volvo'
Në prezantimin e mbajtur këtë javë, njeriu i parë i divizionit kinez të Volvo, Qin Peiji, foli për elektrifikimin e deritanishëm të kompanisë dhe planet për periudhën e ardhshme, si dhe tregoi gjashtë automjete elektrike të kësaj kompanie.
Tri automjetet që ai prezantoi tashmë janë të disponueshme në treg dhe ato janë modelet XC40, C40 dhe EX90 për të cilat dimë të gjitha, por tri modelet e tjera që duhet të dalin në treg në fund të këtij viti janë shumë më tepër interesante.
Një prej tyre është EX90 Excellence, një automjet me specifika të larta dhe një “version ultra-luksoz” i modelit EX90 SUV, më pas një SUV më i vogël dhe një minivan. Mund të supozohet se minibusi do të jetë i destinuar për përdoruesit familjarë që kanë nevojë për një automjet me përmasa më të mëdha me më shumë vende për pasagjerë dhe bagazhe dhe sipas informacionit të transmetuar nga mediat që ndjekin tregun e automjeteve elektrike, do të bazohet në modelin Zeekr 009.
Kujtojmë se si Zeekr ashtu edhe Volvo janë në pronësi të së njëjtës kompani (kineze Geely), ndaj fakti që ata ndajnë të njëjtën platformë nuk duhet të habisë askënd. Zeekr 009 është një minifugon elektrik me lëvizje me katër rrota, fuqi motori prej 536 kf dhe një distancë deri në 800 km. Është e qartë se një automjet me performancë të tillë nuk është e lirë dhe çmimi i saj fillestar në tregun kinez është rreth 87 mijë dollarë.
Edhe pse do të bazohen në të njëjtën platformë, minibusi i Volvo do të ketë ende një “pamje unike”, sipas Electrek. Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti Volvo duhet ta prezantojë konceptin e parë të kësaj veture, ndërsa në fund të vitit mund të presim prezantimin e modelit të prodhimit.
Ashtu si minivani do të bazohet në platformën e përdorur nga Zeekr 009, SUV-i i ardhshëm do të bazohet gjithashtu në platformën e një automjeti tjetër Zeekr – modelit Zeekr 003./Electrek