Çdo ditë, Google bllokon mbi 18 milionë emaila mashtrues në lidhje me COVID-19

Gjiganti i Teknologjisë “Google” ka njoftuar se pandemia COVID-19 ka bërë që të ketë një eksplodim të sulmeve “pishing” (përpjekje mashtruese për të marrë informacione sensitive) me mbi 18 milionë emaila  që bllokohen për çdo ditë nga Google.

Kompania tregon se ka bllokuar mbi 100 milionë emaila “pishing” në ditë vetëm gjatë javëve të kaluara dhe se një e pesta nga këto emaila kishin të bëjnë me pandeminë COVID-19.

Pandemia COVID-19 është bërë tema më e madhe që ndonjë herë është përdorur për të dërguar emaila mashtrues ‘pishing” thonë kompanitë e teknologjisë.

Përdoruesve të G-mail u dërgohen emaila të ndryshme të cilët pretendojnë se janë nga Organizata të ndryshme si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe tentojnë që t’i joshin përdoruesit të shkarkojnë ndonjë program apo edhe të dërgojnë donacione në llogari të ndryshme për përfitime personale.

Një rritje në dërgimin e emailave mashtrues në lidhje me pandeminë është vërejtur edhe nga shumë kompani të tjera të teknologjisë.

Baracuda, kompania e rrjeteve dhe sigurisë së tyre ka treguar se gjatë kohës së pandemisë është rritur trafiku i emailave mashtrues për 667%.