BBC: TikTok prezanton kufizime të përdorimit për të miturit

Kohët e fundit, rregullatorët kanë ushtruar presion në rrjetet sociale për shkak të ndikimit negativ të tyre në gjendjen mendore të të rinjve. Kemi shkruar disa herë për ndikimin e Instagramit tek të rinjtë, i cili është zbuluar nga denoncuesi Haugen, si dhe duhet përmendur edhe paralajmërimin e fundit të Imran Ahmed nga Qendra për Shtypjen e Urrejtjes Dixhitale. Gjegjësisht, hulumtimi i tyre tregoi se algoritmi i TikTok-it i mbush të rinjtë me shumë përmbajtje të dëmshme dhe se është një algoritëm që është sikurse kokaina dhe shumë i varur.

Për shkak të një presioni të tillë nga rregullatorët, por edhe nga publiku, rrjetet sociale megjithatë kanë prezantuar disa mjete që duhet t’i paralajmërojnë të rinjtë të mos shpenzojnë shumë kohë duke lëvizur nëpër ekrane dhe për ta thithur përmbajtjen që zgjedh algoritmi për ta. Në të njëjtën kohë, natyrisht, algoritmi shfaq pikërisht përmbajtjen që duhet t’i tërheqë ata të kalojnë sa më shumë kohë brenda aplikacionit, apo rrjetit social.

TikTok tani ka njoftuar se po vendos kufizime të caktuara në kohën e përdorimit të aplikacionit për të miturit. Sipas këtyre rregullave të reja, të cilat duhet të hyjnë në fuqi në javët në vijim, përdoruesit nën moshën 18 vjeç do të duhet ta fusin një kod të veçantë pas një ore përdorimi nëse duan të vazhdojnë të përdorin këtë rrjet social. Pra, nuk është një kufizim që do të parandalojë përdorimin e mëtejshëm të atij rrjeti, por një lloj paralajmërimi, pas të cilit disa përdorues mund ta mbyllin aplikacionin dhe ta bëjnë një pushim nga shikimi i vazhdueshëm.

Për ata që duan të vazhdojnë ta përdorin TikTok-un, do të jetë e nevojshme vetëm ta fusin kodkalimin dhe kaq. Gjithashtu, ky opsion mund të çaktivizohet në cilësimet e aplikacionit.

Por kushdo që e çaktivizon atë njoftim paralajmërues pas 60 minutash dhe nëse e përdor aplikacionin për 100 minuta në ditë, TikTok do t’i paralajmërojë që ta aktivizojnë opsionin. Një tjetër risi që ByteDance e prezantoi si pjesë e TikTok është njoftimi për përdorimin e TikTok që të miturit do të marrin një herë në javë.

Përveç vetë përdoruesve, prindërit do të mund të vendosin gjithashtu kufijtë e kohës para ekranit përmes opsionit Family Pairing, si dhe do të kenë qasje në të dhënat e përdorimit të aplikacionit.

Cormac Keenan, i cili është përgjegjës për besimin dhe sigurinë në TikTok, thotë se kompania e tij ka punuar me shkencëtarë që i ndihmuan ata ta përcaktojnë këtë kufi kohor për aplikacionin. Ai theksoi se edhe pse nuk ka marrëveshje për kohën e ekranit, megjithatë janë konsultuar me ekspertë gjatë zhvillimit të këtij opsioni.

Përderisa përpjekjet e tilla të kompanive dhe rrjeteve sociale sigurisht që duhen vlerësuar, Imran Ahmed paralajmëron veçanërisht se platformat duhet të fokusohen më shumë jo vetëm në kohën e kaluar para ekraneve, por edhe në përmbajtjen e shfaqur për të rinjtë. Ajo përmbajtje duhet, siç i tha ai BBC-së, të “pastrohet” në mënyrë që ta bëjë TikTok-un një mjedis të sigurt për fëmijët./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala