Automjetet Tesla me shitje të jashtëzakonshme në Evropë

Edhe pse mediat janë dominuar nga histori negative që kanë të bëjnë me Tesla-n ditëve të fundit, kryesisht për shkak të rënies së madhe të çmimit të aksioneve dhe ngadalësimit të kërkesës për automjetet e tyre elektrike, automjetet e tyre janë ende jashtëzakonisht të njohura dhe shiten mirë në mbarë botën. Ne kemi shkruar tashmë për suksesin që Modeli Y e ka arritur në Norvegji. Në këtë treg, këtë vit Model Y theu rekordin për numrin e njësive të shitura, i cili u vendos në vitin 1969 nga VW Beetle.

Mirëpo ky automjet nuk është i njohur vetëm në Norvegji, por edhe në të gjithë Evropën. Deri më tani nuk ishte e pazakontë që modelet e Tesla të ishin më të shiturit në tregje të caktuara evropiane, por deri vonë nuk ishin kurrë më të shiturit në tregun e përgjithshëm evropian.

Kjo ka ndryshuar tani. Sipas të dhënave për shitjet e automjeteve në tregun evropian, autmjeti më i njohur në nëntor ishte modeli Y i Tesla-s. Interesant është fakti se vendin e parë në atë listë në të gjithë Evropën e zuri ky automjet për herë të parë në shtator, por për shkak të një sasi më e vogël dërgesash nga Kina, shitjet ranë në tetor.

Të dhënat për muajin nëntor u publikuan së fundmi dhe Model Y u bë sërish automjeti më i shitur në Evropë – jo vetëm në mesin e automjeteve elektrike, por në të gjithë tregun.

Gjatë kësaj periudhe, kompania e Musk shiti më shumë se 19,000 Model Y dhe parashikimet e analistëve thonë se mund të presim shifra edhe më të mira të shitjeve në muajin aktual. Gjegjësisht, vetëm në Norvegji tashmë janë dorëzuar rreth 5 mijë copë nga këto automjete. Një arsye e madhe e rritjes së shitjeve të këtij automjeti në tregun evropian qëndron në fabrikën Tesla në Berlin, e cila aktualisht prodhon 3 mijë Model Y në javë, ndërsa modelet e tjera vijnë nga fabrika në Shangai./ Electrek

Përgatiti: Nuhi Shala