Autobusi vetëngasës në Kore të Jugut

Korea e Jugut u pajis me linjën e parë të autobusëve vetëngasës këtë javë si pjesë e një eksperimenti që inxhinierët thanë se synon ta bëjë publikun më të rehatshëm me automjetet pa shofer në rrugë.

Autobusi i ri nuk duket si një autobus i zakonshëm: Është krejtësisht simetrik, me skaje të rrumbullakosura dhe dritare të mëdha që e bëjnë të duket më shumë si një lodër sesa një formë transporti më moderne.

Ky dizajn është i qëllimshëm, thotë Jeong Seong-gyun, udhëheqës i ngasjes autonome në 42 Dot, një startup përgjegjës për teknologjinë autonome të ngasjes që tani zotërohet nga Hyundai i Koresë së Jugut.

“Është e ardhmja”- tha ai për AFP, duke shtuar se një autobus i tillë kërkon një lloj të ri dizajni të jashtëzakonshëm.

Autobusi është bërë nga pjesë të përbëra për t’i ulur kostot dhe për ta bërë më të lehtë riprodhimin, shpjegon Jeong.

Sipas tij, qëllimi i kompanisë ishte që në të ardhmen teknologjia të jetë e lirë, e sigurt dhe lehtësisht e transferueshme për shumë lloje automjetesh, për shembull automjetet e dorëzimit.

Tani për tani, nën mbikëqyrjen e ngushtë të shoferit, autobusi do të lëvizë vetë në rrugën e re rrethore prej 3.4 kilometrash në qendër të kryeqytetit, Seul, që zgjat afërsisht 20 minuta.

Njerëzit mund të hipin në një nga dy ndalesat e caktuara pasi ta rezervojnë një vend falas përmes aplikacionit.

Autobusi përdor një kamerë dhe lazer në vend të sensorëve të shtrenjtë për të naviguar, shtoi Jeong.

Në ditën e prezantimit të linjës së re të autobusëve, të premten, shumë kalimtarë dukeshin të intriguar nga dizajni i autobusit. Ata ndaluan për të fotografuar dhe për ta parë nga brenda.

Më duket sikur u hodha në një automjet për të udhëtuar në të ardhmen, komentoi Kim Yi hae-ran pas udhëtimit./Dnevnik.hr