Apple prezanton syzet e shumëpritura për realitetin e shtuar dhe virtual - Vision Pro

Pas një pritjeje të gjatë dhe pas shumë thashethemeve, Apple i ka prezantuar syzet e saj të para për realitetin e shtuar dhe virtual – Apple Vision Pro në konferencën e zhvilluesve WWDC.

Siç u theksua në prezantim, Apple Vision Pro është një lloj i ri kompjuteri që e kombinon realitetin e shtuar dhe botën reale, i vetmi kompjuter përmes të cilit është e mundur të shikosh në hapësirën reale dhe në të njëjtën kohë të shohësh aplikacione dhe përmbajtje multimediale. Nuk ka më kufizime të madhësisë së ekranit. Aplikacionet mund të jenë të çdo madhësie dhe me një lëvizje mundësohet “zhytja” në përmbajtje multimediale.

Ashtu sikurse Mac na prezantoi me kompjuterët personalë, VisionPro do të na prezantojë me teknologjinë personale, thuhet nga Apple.

Sipas Apple, Vision Pro është një ndërfaqe tre-dimensionale e kontrolluar nga zëri, duart dhe sytë. Aplikacionet shfaqen si një shtresë e re në hapësirën reale. Elementet kanë dimensione dhe hije për të dhënë përshtypjen e madhësisë në hapësirë. Është e mundur ta rrisni madhësinë e aplikacioneve dhe t’i zhvendosni ato kudo që dëshironi në hapësirë.

VisionPro mundëson zhytjen në përmbajtjen multimediale duke e rrotulluar çelësin në pjesën e sipërme të syzeve. Përdorimi është intuitiv, mbështetet tek përdoruesi dhe përmbajtja e tij. Mjafton të shikoni në drejtimin e duhur dhe ikonat janë të shënuara, i selektoni të markuarat me gishta dhe në kombinim me zërin tuaj mund të diktoni dhe kontrolloni me Siri, gjë që mundëson shtesë përdorimin e aplikacioneve.

EyeSight, ju lejon t’u tregoni sytë të tjerëve në dhomë në mënyrë që ata të mos ndihen të lënë jashtë. Kur dikush është afër, ai do të shfaqet në fushën e shikimit të përdoruesit, edhe nëse aplikacioni është i ndezur.

Syzet funksionojnë në kombinim me tastierën, por edhe me MacBook. Mjafton të lidheni me valë. Facetime përfiton nga hapësira dhe SpaceAudio ofron një përvojë më të mirë të videothirrjeve. Është gjithashtu e mundur ta ndani aplikacionin dhe përmbajtjen multimediale. Ai gjithashtu funksionon me pajisje të tjera Apple.

Është e mundur të bëni fotografi dhe video dhe t’i shikoni ato në 3D në hapësirë ​​me SpacialPhoto dhe Video. Është e mundur që çdo dhomë të shndërrohet në një sallë kinemaje, të zgjerohet ekrani dhe të shikohet përmbajtje nga platformat e transmetimit. Filma 3D dhe përmbajtje interaktive 3D. Është gjithashtu e mundur të luani video-lojëra duke përdorur kontrolluesin.

Apple Vision Pro do ta ndryshojë mënyrën se si ne komunikojmë, punojmë dhe shoqërohemi, thotë Cook dhe njoftoi një bashkëpunim me ëalt Disney që do të mundësojë transmetimin e përmbajtjes së Disney+ direkt në Vision Pro.

Dizajn hapsinor

Edhe pse syzet në pamje të parë duken si syze skijimi, ato fshehin shumë më tepër se kaq. Para së gjithash, ekziston një kornizë alumini, e cila përmban dy ekrane. Në buzë ka 12 kamera, 5 sensorë dhe gjashtë mikrofona, një buton për regjistrimin e fotove dhe videove dhe një rrotë për menaxhimin e aftësive të Vision Pro. Pajisja është projektuar si një sistem modular për t’iu përshtatur fytyrës së çdo përdoruesi. Rripi mund të ndryshohet për t’u përshtatur lehtësisht me madhësinë e kokës. Në bashkëpunim me Zeiss, janë bërë lente shtesë magnetike që mund të futen shtesë para ekranit, për ta shmangur vendosjen e syzeve mbi syzet e shikimit.

Teknologjia prapa Vision Pro kishte nevojë për sensorë dhe ekrane të avancuar, kështu që u projektua një ekran që lejon që pikselët individualë të mos shihen – Apple Silicon OLED, dy panele në madhësinë e një pulle postare me një total prej 23 milionë piksele të kombinuara me një lente të trefishtë që lejon një pamje të qartë dhe shikimin e videos në 4K.

Vëmendje e veçantë i kushtohet zërit. AudioPods të vendosura në rripin e syzeve, mundësojnë tingullin hapësinor në mënyrë që përdoruesi të ketë përshtypjen se tingulli është rreth tij.

Syzet kanë gjithashtu Lidar, një kamerë IR dhe ndriçim LED për ta bërë më të lehtë shikimin e përmbajtjes në ekrane.

E gjithë kjo mundësohet nga një çip i dyfishtë silikoni Apple, M2, i kombinuar me çipin e ri R1 të Apple të zhvilluar posaçërisht për Vision Pro, për t’i përpunuar të dhënat nga sensorët dhe kamerat në syze në kohë reale. Ai shfaq imazhe në ekran brenda 12 milisekondave.

Paneli i lakuar OLED në pjesën e përparme të syzeve përdoret për t’i treguar sytë e përdoruesit, duke dhënë përshtypjen se ekrani është transparent. Duke përdorur mësimin e makinerive dhe sensorët e përparmë, sistemi përdor një rrjet nervor për ta krijuar një binjak virtual të përdoruesit dhe për ta shfaqur atë në Vision Pro për përdoruesit e tjerë ose nga jashtë për njerëzit e tjerë në dhomë.

Bateria që jep energji nuk është e vendosur në vetë syzet, por është e lidhur me to me një kabllo dhe mund të vendoset në një xhep. Për momentin, nuk ka asnjë informacion për kapacitetin apo kohën e përdorimit të tij.

Platformë e re

VisionOS është një sistem operativ i dedikuar për Vision Pro, i krijuar për t’u përgjigjur shpejt dhe për të ofruar një përvojë të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse. Është sistemi i parë operativ i krijuar për llogaritjen hapësinore.

Ky është fillimi i një platforme të re, thuhet nga Apple.

OpticID e skanon irisin dhe mundëson kyçjen dhe zhbllokimin e Vision Pro, si dhe të aplikacioneve private si Apple Pay. Të gjitha drejtimet që shikon përdoruesi janë private, d.m.th. të fshehura nga aplikacionet dhe faqet e internetit, derisa përdoruesi ta “klikojë” në një opsion.

Kjo është pajisja elektronike më e avancuar ndonjëherë. Apple regjistroi më shumë se 5000 patenta gjatë zhvillimit të saj, u tha në prezantimimin e lartcekur.

Duke marrë parasysh krejt që u tha si më sipër, pritej që çmimi të ishte mjaft i lartë. Pra, ata që duan ta përdorin Vision Pro do të duhet të paguajnë 3,499 dollarë për të dhe pajisja do të jetë e disponueshme për herë të parë në SHBA në fillim të vitit 2024. Apple thotë se pajisja do të jetë e disponueshme në vende të tjera anembanë botës “diç më vonë”.

Kjo ishte një ditë e madhe, ka deklaruar Shefi Ekzekutiv i Apple, Cook, në fund. Ka disa produkte që po e ndryshojnë mënyrën se si ne e përdorim teknologjinë në jetën tonë. Ne mendojmë se Vision Pro është një produkt i tillë. I kombinuar me platformën visionOS, ofron produkte të mahnitshme për përdoruesit dhe zhvilluesit tanë.

Cook njoftoi se Apple Vision Pro dhe visionOS do të dëgjohen në konferencat e ardhshme, kështu që ne mund të presim disa lajme të tjera përpara se syzet të jenë realisht të disponueshme për përdoruesit. /Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala