Apple do t’i skanojë telefonat Iphone për fotografi që kanë të bëjnë me abuzimin e fëmijëve

Një veçori e re e shpallur nga ‘Apple’ ka shkaktuar polemika pasi që ekspertët e IT-të paralajmërojnë se një vendim i tillë mund të rezultojë në mbikëqyrjen e telefonave dhe lap-topëve nga qeveria.

‘Apple’ ka bërë të ditur se një sistem të ri që do të përfshihet në iPhone e i cili do të skanojë automatikisht pajisjet e tij për të identifikuar nëse ato përmbajnë fotografi që shfaqin abuzim seksual të fëmijëve para se ato fotografi të ngarkohen në iCloud, shkruan Sky News.

Foto: Një nga veçoritë e reja do të paralajmërojë prindërit kur fëmijët marrin ose dërgojnë mesazhe eksplicite seksuale

Është pjesë e një sërë veçorish të mbrojtjes së fëmijëve që do të lansohen më vonë këtë vit në SHBA përmes azhurnimeve në sistemin  iOS 15 dhe iPadOS dhe do t’i krahasojë fotografitë në pajisjet e përdoruesve me një bazë të dhënash të pamjeve të njohura të abuzimit.

Nëse ndesh në diçka të tillë, atëherë ‘Apple’ thotë se do ta raportojë incidentin në Qendrën Kombëtare Amerikane për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC). Nuk është e qartë se me cilat autoritete të tjera kombëtare do të kontaktojë kompania jashtë Shteteve të Bashkuara, as nëse këto veçori do të jenë të disponueshme edhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

Ndër veçoritë e tjera të bëra publike nga ‘Apple’ janë një lëvizje për të skanuar mesazhe të koduara nga njëra anë në tjetrën në emër të prindërve për të identifikuar kur një fëmijë pranon apo dërgon një fotografi seksualisht eksplicite, duke u ofruar atyre “burime të dobishme” dhe duke i siguruar fëmijët se “është në rregull nëse ata nuk duan ta shikojnë këtë fotografi “.

Foto: Apple thotë se do ta mbrojë privatësinë e përdoruesve gjatë krahasimit të fotografive 

Si përgjigje ndaj kritikave të shumta, përmes një deklarate të bërë, ‘Apple’ thotë si në vijim:

“Në Apple, qëllimi ynë është të krijojmë teknologji që fuqizon njerëzit dhe pasuron jetën e tyre – duke i ndihmuar ata të qëndrojnë të sigurt. Ne duam të ndihmojmë në mbrojtjen e fëmijëve nga grabitqarët që përdorin mjete komunikimi për t’i rekrutuar dhe shfrytëzuar ata, dhe të kufizojmë përhapjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve”.

“Ky program është ambicioz dhe mbrojtja e fëmijëve është një përgjegjësi e rëndësishme. Këto përpjekje do të evoluojnë dhe zgjerohen me kalimin e kohës”, përfundon deklaratën e saj kompania ‘Apple’.

Përkthimi: Nuhi Shala