Aplikacioni i ri BeReal shpallet aplikacioni i vitit në iPhone

Rrjeti social që e shënoi këtë vit është sigurisht Twitter-i. Arsyet për këtë nuk gjenden në ndonjë rritje të madhe të numrit të përdoruesve apo opsioneve të reja, por në marrjen e kompanisë nga Musk dhe gjithë kaosin që pasoi. Ndërkohë që Twitter ishte interesant për shkak të Musk, një tjetër rrjet social fitoi popullaritet të madh këtë vit, dhe ne mund ta shohim më së miri potencialin e tij nga dy gjëra.

Së pari, opsionet e tij u kopjuan nga konkurrentë si Instagram, TikTok dhe Snapchat, dhe së dyti – Apple e shpalli atë aplikacionin e vitit për iPhone në App Store. Është aplikacioni BeReal përmes të cilit mund të publikoni dhe ndani foto me ndjekësit tuaj, por në kushte të caktuara. Domethënë, aplikacioni dërgon një njoftim një herë në ditë, pas së cilës përdoruesit kanë pak kohë për postimin e tyre, i cili duhet të regjistrohet me të dyja kamerat.

Qëllimi i BeReal është që përdoruesit t’i tregojnë situatat reale në të cilat ndodhen – kjo është arsyeja pse ekziston një afat i shkurtër kohor në mënyrë që përdoruesit të mos kenë shumë kohë për t’u përgatitur, dhe regjistrimi duhet të jetë nga të dyja kamerat në mënyrë që vetë përdoruesit t’i tregohet vendi ku ndodhet në një moment të caktuar. 

Pa filtra dhe disa skenarë të përgatitur, fokusi është vetëm në momentin në të cilin publikohet. Aplikacioni është i disponueshëm që nga viti 2020, por popullaritetin e ka fituar vetëm këtë vit dhe titulli i aplikacionit të vitit në iPhone është padyshim kurora e aktivitetit të tij deri tani.

Përveç aplikacionit më të mirë për iPhone, Apple i shpalli edhe fituesit e çmimeve të tjera. GoodNotes 5, një aplikacion që mundëson sinkronizimin e shënimeve dixhitale në të gjitha pajisjet Apple, u shpall aplikacioni më i mirë për iPad. Sa i përket Mac-ve, MacFamily Tree u shpall aplikacioni më i mirë për shfaqjen dhe modifikimin e një peme familjare. Çmimi për aplikacionin më të mirë për Apple Watch shkoi për aplikacionin Gentler Streak, i destinuar për monitorimin e aktiviteteve të fitnesit./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala