Si të shkarkoni arkivin tuaj në Twitter?

Të gjithë ata që shqetësohen për jetëgjatësinë e shërbimit në këtë platformë mund të ruajnë tweet-et, foto/videot dhe mesazhet direkte.

Pas një largimi masiv të punëtorëve “kritikë” në Twitter, është rritur frika se faqja mund të mos vazhdojë të funksionojë në mënyrë të besueshme, disa përdorues mendojnë se tani është kohë e duhur për të ruajtur tweet-et dhe të dhëna të tjera, raporton New York Times.

Twitter ofron një metodë për të shkarkuar të dhënat. Kjo varet nga funksionimi i shërbimit dhe që nga dita e premte tashmë ka pasur dëme të dukshme në infrastrukturën e platformës.

Por nëse gjithçka shkon mirë, më poshtë gjeni mënyrën se si mund t’i shkarkoni të dhënat tuaja nga Twitter, përfshirë tweet-et tuaja, fotot dhe videot e bashkangjitura, mesazhet direkte, pëlqimet, etj.

Në Desktop

Derisa jeni të kyçur në llogarinë tuaj, klikoni “More” në kolonën e majtë. Pastaj zgjidhni “Settings and Support”, më pas “Settings and privacy”.

Nën opsionin “Your account”, zgjidhni “Download an archive of your data”.

Do ju duhet të shënoni fjalëkalimin dhe më pas Twitter do t’ju dërgojë me email ose me tekst një kod verifikimi që gjithashtu duhet të shënohet.

Pasi të keni shënuar fjalëkalimin dhe kodin e verifikimit, shtypni butonin e kaltër që thotë “Request Archive”.

Pasi të keni kërkuar të dhënat tuaja duhet të prisni dhe të shpresoni. Twitter thotë se “mund të nevojiten 24 orë ose më shumë që të dhënat tuaja të jenë gati”.

iOS dhe Android

Derisa, në iOS dhe Android shtypni foton e profilit në këndin e sipërm majtas, lëvizni poshtë te “Settings and Support” dhe më pas zgjidhni “Settings and Privacy”. Klikoni në “Your account”, më pas “Download an archive of your data”. Do t’ju kërkohet të regjistroheni në Twitter, pastaj ndiqni hapat si në rastin e lartpërmendur.

Platforma Twitter ka njoftuar punëtorët se ka mbyllur përkohësisht zyrat e kompanisë.

Në një mesazh që ka siguruar BBC, punëtorëve u është thënë se zyrat do të hapen sërish më 21 nëntor.

Arsyeja e vendimit nuk është bërë e ditur.