Apel nga Mjekët: Ndalojeni zhvillimin e intelegjencës artificiale, shëndeti i miliona njerëzve është në rrezik

Intelegjenca artificiale (AI) mund ta dëmtojë shëndetin e miliona njerëzve dhe është kërcënim ekzistencial për njerëzimin. Ky është konkluzioni i mjekëve dhe ekspertëve të shëndetit publik i shprehur në një studim të BMJ Global Health. Në këtë studim është bërë apel për pezullimin e zhvillimit të intelegjencës artificiale të përgjithshme deri në rregullimin e saj, shkruan The Guardian.

Nga njëra anë, intelegjenca artificiale ka potencialin ta revolucionarizojë kujdesin shëndetësor, pasi mund ta përmirësojë diagnostikimin, të gjejë trajtime më të mira dhe më adekuate dhe ta rrisë disponueshmërinë e kujdesit shëndetësor për më shumë njerëz.

Nga ana tjetër, siç theksojnë mjekët e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së, Australisë, Kosta Rikës dhe Malajzisë, mund të ketë efekte negative në shëndet. “Vlerësimi” i gabuar i intelegjencës artificiale mund të shkaktojë dëme të mëdha për pacientët, si dhe ka çështje të privatësisë dhe sigurisë së të dhënave, si dhe mundësia që përdorimi i saj të rezultojë me pabarazi edhe më të mëdha sociale dhe shëndetësore.

Një shembull është përdorimi i një pulsoksimetri me fuqi AI, i cili i mbivlerësoi nivelet e oksigjenit në gjak te pacientët me lëkurë më të errët, duke rezultuar në nëntrajtim të hipoksisë së tyre.

Mjekët paralajmëruan në artikullin e tyre shkencor se ekziston një rrezik i madh sidomos në aspektin social të shëndetit për shkak të kontrollit dhe manipulimit, përdorimit të armëve vdekjeprurëse dhe efekteve të papunësisë masive në shëndetin mendor të njerëzve. Vlerësohet se vetëm në dekadën e ardhshme, AI do t’i zëvendësojë dhjetëra deri në qindra miliona punëtorë dhe është vërtetuar se ekziston një korrelacion i fortë midis papunësisë dhe shëndetit të dobët.

Dhe mund ta kërcënojë gjithashtu demokracinë, e cila më pas do të shkaktojë një rënie të besimit të njerëzve dhe do të shkaktojë ndarje dhe konflikte edhe më të mëdha sociale, të cilat në fund të fundit ndikojnë në gjendjen e shëndetit publik.

“Ne përpiqemi të krijojmë makina që janë dukshëm më inteligjente dhe më të fuqishme se ne. Mundësia që këto makineri të përdorin kaq shumë fuqi dhe intelegjencë për t’i dëmtuar me dashje apo pa dashje njerëzit është reale dhe duhet të merret parasysh”, është një nga përfundimet e këtyre mjekëve.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një koalicion ekspertësh shëndetësorë, kontrollues të pavarur të fakteve dhe organizata bamirëse mjekësore kërkuan që projektligji i ardhshëm i qeverisë për sigurinë në internet të amendamentohet për të ndërmarrë veprime kundër dezinformatave shëndetësore.

E nënshkruar nga institucione, duke përfshirë Fondacionin Britanik të Zemrës, Kolegjin Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm dhe Full Fact, letra i bën thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar ta shtojë një detyrë të re ligjërisht të detyrueshme në projektligj, përmes të cilit do të kërkoheje që rrjetet më të mëdha sociale të shtojnë rregulla të reja në kriteret e tyre të shërbimit që, përmes tyre, ta rregullojnë mënyrën se si mund ta zbusin dezinformimin që për subjekt ka shëndetin.

Ata besojnë se nevojitet rregullim efektiv i zhvillimit dhe përdorimit të AI dhe se duhet të vendoset një moratorium për zhvillimin e tij derisa një rregullore e tillë të jetë në fuqi./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala