Amazon nis betejën me Musk: Deri në vitin 2024, planifikojnë t’i lëshojnë satelitët e parë të internetit

Kompania Amazon po përgatitet të konkurrojë me SpaceX të Elon Musk dhe të tjerë në ofrimin e shërbimeve të internetit me brez të gjerë në një shkallë globale.

Njësia e internetit satelitore e Amazon, Project Kuiper, do të fillojë prodhimin masiv të satelitëve më vonë këtë vit, njoftoi kompania e lartcekur.

Ai do të jetë i pari nga më shumë se 3000 satelitët që gjigandi i teknologjisë planifikon të nisë në orbitën e ulët të Tokës gjatë viteve të ardhshme.

“Ne patjetër do të kemi testim beta me klientët komercialë në vitin 2024”, tha Dave Limp, shefi i divizionit të pajisjeve të konsumit të Amazon, në një konferencë në Uashington.

Përmbushja e objektivit të 2024-ës do t’i mundësonte Amazon-it të vazhdojë të lëshojë me sukses gjysmën e rrjetit të saj Kuiper prej 3,236 satelitësh deri në vitin 2026.

Limp ka deklaruar se kompania planifikon të prodhojë “tri deri në pesë” satelitë në ditë për ta përmbushur qëllimin final.

Ndërkohë që planifikon të investojë më shumë se 10 miliardë dollarë në Rrjetin Kuiper, Amazon po tërhiqet nga biznesi i saj i elektronikës së konsumit për të prodhuar miliona terminale të nevojshëm për t’i lidhur klientët me satelitët Kuiper.

Kompania e sheh përvojën e saj në prodhimin e miliona pajisjeve si vendimtare, pasi konkurron me rrjetin Starlink të SpaceX, i cili tashmë ka afërsisht 4000 satelitë në hapësirë.

Sot, terminalet Starlink të SpaceX, të cilat kushtojnë 599 dollarë secili, përdoren nga “më shumë se një milion klientë”, deklaron Jonathan Hofeller, Menaxher i Shitjeve të Terminalit Starlink të SpaceX.

Terminali standard i klientëve të Amazon, antenat 11-inç katror për Rrjetin Kuiper do të kushtojnë më pak se 400 dollarë për t’u prodhuar dhe do të ofrojnë shpejtësi interneti 400 megabit për sekondë për klientët, thuhet në njoftimin e bërë nga kompania Amazon.

Antena celulare më e vogël në formë katrore, 18 cm e gjerë dhe peshon rreth 450 gram, do të jetë terminali i rrjetit më të përballueshëm të Amazon për klientët./tportal.hr

 

Përgatiti: Nuhi Shala