A mund të humbasin shumë njerëz punën e tyre për shkak të ChatGPT?

A do të humbasin shumë njerëz punën e tyre për shkak të ChatGPT?

Kjo teori u vu në provë këtë javë nga shkrimtari dhe tregtari i pavarur Henry Williams, i cili, kur u shfaq ChatGPT, ishte mjaft entuziast për mundësitë e tij. Por pasi përdori këtë chatbot për të shkruar një artikull marketingu, kënaqësia e tij u kthye në tronditje dhe tmerr.

Përkatësisht, këtij chatboti iu deshën vetëm tridhjetë sekonda për të krijuar një artikull marketingu “pothuajse të përfunduar”. Williams thotë se artikulli është thjesht i strukturuar dhe i shkruar me një “ton çnjerëzor”, por gramatika dhe sintaksa, si dhe pikat kyçe që lidhen me temën e tij, janë shkruar mjaft mirë. Ai theksoi se në fund i duhej ende ta modifikonte pak, por në përgjithësi inteligjenca artificiale bëri një punë të shkëlqyer.

Në vetëm tridhjetë sekonda dhe pak kohë shtesë për redaktim, IA (Inteligjenca Artificiale) krijoi një artikull për të cilin Williams zakonisht paguan më shumë se 600 dollarë. Bazuar në atë përvojë, ai përfundoi: Jam shumë i sigurt se inteligjenca artificiale do ta marrë punën time. Ai beson se përparimi i mëtejmë i këtij dhe i chatbot-eve të tjera që mund të presim me kalimin e kohës nuk do të thotë se shkrimtarët, gazetarët dhe redaktorët nuk do të nevojiten më fare, por nevoja për ta do të jetë më e vogël. Shumë më e vogël. Gjithçka që do të jetë e nevojshme është t’i jepni inteligjencës artificiale udhëzimet për të krijuar një sërë artikujsh, slogane dhe të ngjashme dhe më pas thjesht t’i modifikoni ato pak dhe ta kontrolloni korrektësinë e tyre.

Krijimtaria njerëzore, duket se nuk do të jetë më e nevojshme!

Kjo është pikërisht një nga gjërat për të cilat shumë e kritikojnë inteligjencën artificiale, sepse ajo mund t’a çnjerëzojë plotësisht artin dhe krijimtarinë. Vitet e punës, përpjekjeve, mësimit, si dhe një shprehje e veçantë krijuese njerëzore mund të shkojnë kot përballë një lloj algoritmi që mund ta bëjë një punë të ngjashme apo ndoshta edhe më interesante si një imazh dixhital, libër, artikull, etj. Dhe që IA të jetë në gjendje të bëjë një gjë të tillë, së pari është e nevojshme të trajnohet, gjë që bëhet në përmbajtjen ekzistuese të krijuar nga – njerëzit.

Gjithashtu, një problem tjetër që lidhet me ChatGPT është se sipas Business Insider është treguar se ky chatbot ka tendencë të paraqesë informacione të rreme si të vërteta, në mënyrë që përmes tij të përhapen edhe lajme të rreme./Business Insider

 

Përgatiti: Nuhi Shala