A janë 13-vjeçarët shumë të vegjël për t’i përdorur rrjetet sociale?

Kryemjeku amerikan Vivek Murthy ka vlerësuar javën e kaluar se fëmijët nën moshën 13 vjeç janë shumë të vegjël për rrjetet sociale, sepse ata ende “po zhvillojnë identitetin e tyre”.

Meta, Twitter dhe një mori gjigandësh të tjerë të mediave sociale i japin mundësinë 13-vjeçarëve të bashkohen me platformat e tyre.

“Personalisht, bazuar në të dhënat që kam parë, besoj se 13 është shumë herët… Kjo është një moshë ku është me të vërtetë e rëndësishme që të mendojmë se si ata mendojnë për vetëvlerësimin e tyre dhe marrëdhëniet e tyre. Dhe mjedisi shpesh i shtrembëruar i mediave sociale u bën një dëm shumë prej këtyre fëmijëve”- tha Murthy për CNN Newsroom.

Numri i adoleshentëve në rrjetet sociale ka shkaktuar alarm tek ekspertët mjekësorë, të cilët tregojnë për një numër në rritje kërkimesh mbi dëmin që platforma të tilla mund t’u shkaktojnë adoleshentëve.

Zyrtari më i lartë i shëndetit publik i Amerikës, Murthy, e pranon vështirësinë e parandalimit të fëmijëve nga përdorimi i këtyre platformave duke pasur parasysh popullaritetin e tyre, por sugjeron që prindërit mund të kenë sukses duke paraqitur një front të bashkuar.

“Nëse prindërit mund të bashkohen dhe të thonë se, të bashkuar, ata nuk do t’i lejojnë fëmijët tanë të përdorin mediat sociale deri në moshën 16, 17 ose 18 vjeç ose çfarëdo moshe që ata zgjedhin, kjo është një strategji shumë më efektive për të siguruar që fëmijët të mos ekspozohen ndaj dëmit që herët”- tha ai për CNN.

Hulumtimet e reja sugjerojnë se shfletimi në mediat sociale mund ta ndryshojë kiminë e trurit të adoleshentëve.

Sipas një studimi të botuar këtë muaj në revistën JAMA Pediatrics, studentët që shfletonin më rregullisht mediat sociale treguan ndjeshmëri më të madhe neuronale në pjesë të caktuara të trurit të tyre, duke e bërë trurin e tyre më të përgjegjshëm ndaj pasojave sociale me kalimin e kohës.

Dr. Adriana Stacey, psikiatre, e kanë vënë në dukje këtë fenomen prej vitesh. Stacey, e cila kryesisht punon me adoleshentë dhe studentë, i tha më parë CNN se përdorimi i mediave sociale shkakton një “lirim dopamine” në tru.

Kur bëjmë gjëra të varura, si përdorimi i kokainës ose përdorimi i telefonave inteligjentë, truri ynë çliron shumë dopaminë menjëherë. Ajo i thotë trurit tonë që të vazhdojë ta përdorë atë, shton ajo. Sidomos te adoleshentët, ajo pjesë e trurit është në të vërtetë hiperaktive në krahasim me të rriturit. Ata nuk mund ta motivojnë veten për të bërë diçka tjetër.

Studimet e fundit tregojnë mënyra të tjera në të cilat koha e tepërt para ekranit mund të ndikojë në zhvillimin e trurit. Tek fëmijët e vegjël, për shembull, koha e tepërt para ekranit lidhet ndjeshëm me aftësitë më të dobëta të shkrim-leximit dhe aftësinë për të përdorur gjuhën shprehëse. /CNN

Përgatiti: Nuhi Shala