Teatri i Gjilanit nis punën për themelimin e skenës alternative

Teatri i Qytetit të Gjilanit, për herë të parë ka krijuar programin “Skena Alternative”, qëllimi i së cilës është zhvillimi dhe krijimi e ideve origjinale, të cilat në formën e një laboratori krijues, ndihmojnë në prodhimin dhe identifikimin e artistëve të rinj dhe ideve të tyre.

Për këtë, ky teatër nga 11 deri më 29 tetor 2018, përmes një thirrje publike fton të gjithë krijuesit e lirë të Gjilanit të aplikojnë me idetë e tyre në programin “Skena Alternative”.

Ky program aplikohet për herë të parë  në Teatrin e Gjilanit dhe është i hapur për të gjithë artistët krijues të fushave të ndryshme të artit dhe jo domosdoshmërisht të fushës së teatrit, të cilët jetojnë e veprojnë në qytetin e Gjilanit.

Propozimet duhet të prezantohen në formën e një koncepti deri në tri faqe dhe duhet të përmbajnë informatat bazike për idenë – projektin, autorët, ekipin e shfaqjes, konceptin artistik dhe CV-në e udhëheqësit të projektit.

Teatri i Qytetit të Gjilanit do të përzgjedhë 4 koncepte për t’u realizuar si shfaqje në skenën alternative të këtij institucioni.

Shfaqjet e realizuara në kuadër të kësaj skene do të jenë pjesë e repertorit të rregullt të këtij institucioni për vitin 2018 – 2019.