Teatri i Ferizajt kujton Adriana Abdullahun në 20 vjetorin e vrasjes

Me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së aktores ferizajase, Adriana Abdullauhu, Teatri i qytetit të Ferizajt që mbanë emrin e aktores Abdullahu do të organizojë më 24 mars 2019 një mbrëmje përkujtimore.

Drejtori i Teatrit “Adriana” të Ferizajt, Fatmir Hyseni ka thënë për Kallxo.com se aktivitetet për kujtimin e aktores, të cilat do të fillojë në ora 17:00 me homazhet në varrezat e qytetit për aktoren, për të vazhduar pastaj me aktivitete tjera.

“Do të jete një mbrëmje përkujtimore ku do të ketë program artistik. Pastaj kemi shfaqjen ‘Psikoze n’4:48’ dedikuar këtij përvjetori të 20-të që Adriana nuk është në mesin tonë”, ka thënë drejtori Hyseni.

Aktorja Adriana Abdullahu u vra më 24 mars të viti 1999 në një kafiteri në Prishtinë, në vlugun e luftës çlirimtare të viti 1999 dhe në ditën e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj objektivave ushtarake Serbe.

Pas luftës, Teatri i Qytetit të saj të lindjes, Ferizaj, mori ermin e saj, Teatri “Adriana”.