Të Shqetësuar për Ushqimin që Hamë

Në këtë ditë botërore, në një tryezë të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u diskutua për të drejtat e konsumatorit në praktikë.

Selatin Kaçaniku, kryetar i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, tha se mbizotëron kaosi në tregun kosovar.

“Ka importe të pakontrolluara. Na habit lejimi i importeve pa analiza paraprake laboratorike. Kemi shumë probleme me deklarimet. Vazhdon mbajtja, ekspozimi, ofrimi i qumështit nën efektin e tymit. Sikurse edhe çmimet që ndryshojnë në rafte dhe në arkë,” tha Selatin Kaçaniku.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë Lamir Thaçi tregoi se ankesat e qytetarëve kanë luajtur një rol të rëndësishëm në tërheqjen e mallrave të dyshimta nga tregu.

“Ka pasur raste kur falë ankesave të konsumatorëve janë zbuluar sasi produktesh që janë tërhequr nga tregu dhe janë asgjësuar. Natyrat e ankesave te ne janë të ndryshme. Kemi prej produkteve me afat të skaduar, produkte të ruajtura në mënyrë jo të përshtatshme, produkte që rezultojnë se nuk iu përmbahen kushteve të konsumimit,” tha Thaçi.

Vitomir Fisher, zëvendës-udhëheqës i ekipit në projektin “Lëvizja e Lirë e Mallrave”, foli për rëndësinë që MSA-ja ofron në mbrojtjen e konsumatorit.

“Kosova po mundohet të përafrojë strukturën e cilësisë, mirëpo kjo po pengohet nga situata aktuale politike,” tha Fisher.

AUV, gjatë vitit 2015 ka kryer mbi 57 mijë inspektime duke asgjësuar mbi 540 mijë kilogram mall dhe mbi një milion litra produktesh me afat të skaduar, të cilat nuk ishin ruajtur në kushtet e duhura. [interaction id=”56e83994703e265d183ea8bf”]