Të rinjtë ndërkombëtarë përmirësojnë hapësirat publike në shkollat e Kosovës

Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim “TOKA”, ka mbajtur kampin “Ndërkombëtar” në Gërmi ku morën pjesë 40 persona.

Të rinjtë, të cilët ishin nga Amerika, Izraeli, Palestina Franca, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria të cilët për një javë qëndruan në Qendrën Rekreative të Gërmisë duke u shoqëruar, mësuar dhe punuar në realizimin e projekteve vullnetare përmes së cilave përmirësuan shkollat publike në Kosovë.

“Të rinjtë pjesëmarrës në kamp, përmes aktiviteteve socializuese dhe edukative zhvilluan shkathtësitë e tyre të punës me dru, komunikimit dhe bashkëpunimit. Ata vizituan vende të ndryshme të Kosovës, po ashtu kontribuan në komunitet duke ndërtuar ulëse nga druri dhe betoni, si dhe mbollën vazo me lule për përmirësimin e oborrit të shkollës fillore “Dardania” në Pejë”, thuhet në komunikatën e organizatës “Toka”.

Kampi “Ndërkombëtar” u mbajt nga data 7 deri më 14 gusht me qëllim që të zhvillojë të rinjtë pjesëmarrës me kompetencat e parapara me kornizën e re kurrikulare të Kosovës. Sipas organizatorëve ky aktivitetet arriti që përmes vullnetarizmit edukativ të nxisë qytetarinë aktive tek të rinjtë.

Ky kamp u financua nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe u menaxhua nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Kampi gjithashtu u përkrah nga organizata mjedisore WWF Adria dhe Komuna e Prishtinës.