Të premten nis edicioni i 18-të Festivalit Ndërkombëtar ‘ReMusica’ 

Me performancën e trios zagrebase, ‘Guitar Trio Elogio’, formacion kitarash në përbëje të: Tomisllav Vukshiq, Pedro Ribeiro Rodrigues dhe Petrit Çeku do të hapet të premten e ardhshme edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës, “Remusica” në Prishtinë.

Rrugëtimin e 18-të më radhë “ReMusica” do ta nisë në mbrëmjen e 24 majit 2019, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare duke filluar nga ora 20:00.

Përpos agjendës së mbushur koncertale, gjatë “ReMusicas” nuk do të mungojnë masterklaset, ligjëratat si dhe tribuna muzikologjike.

Duke vazhduar traditën e shënimit të përvjetorëve, “Remusica” sivjet shënon 110 vjetorin e lindjes së pionierit të muzikës kosovare – Lorenc Antoni, njëkohësisht do të shënohet 70 vjetori i lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit Rafet Rudi.

Përmes një njoftimi për media, organizatorët e këtij festivali bëjnë me dije se programi i sivjetmë i festivalit “ReMusica”, do të ketë një shtrirje të gjerë, në prezantimin e ansambleve të ndryshme kamertale dhe solistëve eminentë, duke synuar që programi i prezantuar, të bëhet urë lidhëse në mes tendencave novatore që shfaqen në skenën koncertore evropiane dhe publikut kosovar.

Sipas njoftimit mysafir tjetër me renome i këtij edicioni do të jetë edhe Thomas Leleu, pa mëdyshje, sot paraqet atraksion të vërtet në skenën franceze dhe evropiane, pastaj, duoja atraktive nga Austria, Vira Zhuk dhe Mariam Vardzelashvili.

“Koncertet me ansamble dhe autorë më eminent shqiptarë nga Tirana e Prishtina, si gjithmonë, do të zënë vend të rëndësishëm në programacionin e sivjetëm. Po përmendim ansamblin 3x Quartett Opera Kuartet, i përbërë nga 6 instrumentistë të Orkestrës së Teatrit Operas dhe Baletit Tiranës dhe pedagogë të Universitetit të Arteve në Tiranë. Merita Rexha Tershana & Vikena Kamenica, solistet nga Shqipëria do të sjellin projektin e veçantë, veprën kulte të lidit gjerman në formën integrale të saj, « Udhëtimi dimëror » të Franz Schubert. Thellësinë poetike të kësaj kryevepre të muzikës  romantike do të na bëj edhe më të afërt, poezia që do të shoqëroj muzikën e Shubertit”, thuhet më tej në njoftimin e ‘Remisica”.

ReMusica- Programi

Koncertet tematike të festivalit, ‘ReMusica Junior’ dhe ‘Nata Multimedia/Akusmatike’, thuhet më tej në njoftim, edhe këtë vit synojnë promovimin e muzikës akusmatike dhe botës tingullore të saj. Koncerti i muzikës akusmatike në oktofoni dhe video performancë, e sjellë kompozitori, sound – designer dhe videografi, ‘Clement parmentier” nga Belgjika përmes 8 altoparlantëve dhe specializimin e veprave të cilat eksplorojnë strukturat dhe shtresat tingullore.

Krahas koncerteve të mbrëmjes, si gjithmonë “ReMusica” do të sjellë segmente tjera dhe programe shtesë, si  ‘ReMusica Edukative’, ku publiku në mënyrë të drejtpërdrejtë do të jetë afër me muzikën, interpretim, instrumentin dhe kompozitorin. Publiku, i përbërë prej të gjitha moshave, do ta ketë mundësinë të shijojë koncertet e shkurtra dedikuar instrumenteve të veçanta.

“Në pasurimin programor të festivalit, si edhe në vitet e mëparshme, kontribut të çmueshëm do të japin dy koncertet e ansambleve tona me renome: Kori i Filharmonisë (30 maj) dhe Orkestra Simfonike e Filharmonisë me koncertin e saj përmbyllës të festivalit (2 qershor)”, thuhet në njoftimin e “Remisicas”, lidhur me edicionin e 18 të këtij këtij festivali.