Njëri nga të dyshuarit për vrasjen e Aulon Zekës - Foto: KALLXO.com

Të Premten Fjala Përfundimtare për Vrasjen e Aulon Zekës

Gati 5 muaj pas vrasjes së nxënësit Aulon Zeka, tre të miturit që po gjykohen lidhur me këtë rast dhe prokuroria, do të thonë fjalët e tyre përfundimtare.

Ndonëse nëpër media qarkulloi lajmi se këtë të premte do të shpallet aktgjykimit ndaj tre të miturve që po gjykohen lidhur me këtë  vrasje, avokati i palës së dëmtuar, Skender Musa për KALLXO.com, sqaron se kjo informatë nuk është e saktë.

“Mund të them se informata për shpalljen e aktgjykimit siç është dhënë në disa media nuk është e saktë. Këtë të premte do të thuhen fjalët përfundimtare të palëve”, tha Musa.

Aulon Zeka ishte vrarë më 16 shtator të vitit të kaluar, ndërsa lidhur me këtë vrasje ishin arrestuar dy të mitur.

Gjykimi ndaj këtyre të miturve është i mbyllur për publikun, ndërsa gjatë kohës së mbajtjes së gjykimit disa herë është protestuar para Pallatit të Drejtësisë nga shokët e të ndjerit.