Foto-ilustrim

Të Mirat e Kodit që Mungoi

Edita Tahiri, Ministrja për Dialog, në fillim të kësaj jave bëri të ditur se Austria ka aplikuar në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës, në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit për Telekomunikacion.

Marrja e kodit telefonik shtetëror i mundëson Kosovës njohje të sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit dhe pritet të sjellë përfitime ekonomike, shërbime më cilësore dhe më kosto më të favorshme për qytetarët.

Sipas planit, ITU-ja pritet t’ia shpërndajë kodin telefonik Kosovës në pjesën e parë të muajit mars 2016.

Kodi i ri unik +383 do të përdoret në tërë territorin e Kosovës dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë fikse dhe asaj mobile, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Me aplikimin e këtij kodi, do të eliminohen pengesat nga përdorimi i tri kodeve aktuale, ku telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë, të cilat e kanë bërë të pamundur zbatimin e mekanizmave për mbrojtjen e konkurrencës, orientimin e trafikut shkuarje e ardhje, si dhe menaxhimin më adekuat të burimeve të kufizuara numerike.

Përfitimet ekonomike pritet të jenë të mëdha pasi që operatorët nuk do të janë të detyruar të paguajnë kosto të larta financiare, të cilat direkt i atribuoheshin mungesës së këtij kodi dhe e cila do të reflektojë në ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më të lira ndaj konsumatorit.

Kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik kanë arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

Sipas Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacion ishte paraparë që një nga vendet e Bashkimit Evropian duhet të aplikojë për Kosovën në marrjen e këtij kodi, ndërsa Kosova nuk do të ketë obligime financiare ndaj Austrisë për këtë shërbim.

Kosova pa qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara mund të aplikojë në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit dhe të bëhet anëtare e saj nëse për pranimin votojnë dy të tretat e anëtarëve të ITU-së.