Të Larguarit nga KEDS Kërkojnë Llogari nga Qeveritarët

Goditën veturën e Drejtorit të Burimeve Njerëzore të KEDS-it, Zafer Yilmaz, për të mos e lënë të hyjë brenda oborrit ku punonin për 30 deri në 40 vite, e ku para ca ditëve u larguan nga puna për arsye se është mbyllur sektori për të cilën kanë qenë të kontraktuar.

Fajin për të gjithë këtë ngjarje punëtorët shumëvjeçarë të KEDS-it po ua lënë qeveritarëve.

Punëtorët e KEDS-it dolën sot të protestojnë para objektit të tyre ku para ca ditëve, siç thonë ata, ua mbyllën Departamentin e Projekteve në Operim, e nga kjo rezultoi edhe largimi i tyre nga puna.

Fatime Zeka, njëra nga punëtorët e cila kishte punuar në KEDS për 30 vite, fajin për largimin e saj nga puna po ua lë qeveritarëve.

Ajo thotë se bashkë me kolegët e saj mbetën pa punë pasi KEDS-it iu shit objekti.

“Më së shumti përgjegjësi kërkojmë nga qeveritarët, ata që e kanë nënshkru dhe atë që e kanë shitur çka kanë nënshkruar. Ne kemi pasur kontratë të përhershme”, tha Zeka.

E Hajriz Ibrahimi, punëtor tjetër i KEDS-it, tha se arsyeja për të cilën kanë dalë të protestojnë është largimi i padrejtë i punëtorëve nga puna.

“Arsyeja e vetme që kemi dalë sot këtu është shprehja e pakënaqësisë së largimit të  padrejtë të një numri prej 95 punëtorë nga puna edhe pse të gjithë punëtorët kemi qenë me kontratë të përhershme”, tha Ibrahimi.

Ai shtoi se nuk ka pasur arsye për largimin e punëtorëve nga puna ndërsa një protestë tjerët e paralajmëroi për nesër para selisë së KEDS-it.

“Nesër është e paralajmëruar një protestë e punëtorëve të KEDS-it në mënyrë të organizuar dhe të paralajmëruar”, tha në fund Ibrahimi.

KEDS-i, që përfshin rrjetin e shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike, ishte privatizuar në tetor të vitit 2012 për 26.3 milionë euro.

Kur e kishte marrë përsipër këtë ndërmarrje, KEDS kishte marrë obligim që t’i mbajë në punë të gjithë punëtorët për tri vjet.

Largimi i tyre nga puna ka nisur menjëherë pas kalimit të këtij afati.

Ndërsa në vitin 2014, punëtorët e KEDS-it kishin protestuar për rritje të pagave.

Kompania KEDS ka filluar qe një kohë të largojë punëtorë nga puna. Në gusht të këtij vitit ishin larguar disa punëtorë në distriktin e Pejës.