Fehmije Gashi Bytyçi, avokate - Foto: KALLXO.com

Të kthyerat nga Siria, Prokuroria kërkon arrest shtëpiak

Ndaj grave të kthyera nga Siria ende po vazhdon seanca dëgjimore.

Kështu ka thënë avokatja e njërës prej tyre, Fehmije Gashi Bytyqi.

Sipas avokates, Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak për të gjitha 10 gratë e dyshuara.

“Kjo duke pasur parasysh se të gjitha janë gra familjare dhe më fëmijë”, shtoi ajo.

“Gratë tashmë janë duke jetuar në shtëpitë e të afërmit”, shtoi avokatja.

Ndërsa, avokatet e të dyshuarave kanë kërkuar një masë alternative, sikur paraqitja e grave në stacionet policore.

“Unë dhe koleget e tjera kërkuam masë më alternative siç është paraqitja e këtyre grave në stacionet policore për arsye se këto gra dje janë sistemuar në shtëpitë e tyre pasi ato kanë nevojë të kryejnë shumë aktivitete dhe nëse shkelet masa e arrestit shtëpiak ajo automatikisht kalon në masën e paraburgimit. Nëse Gjykata e aprovon këtë masë do jetë më e lehtë mbrojtja e tyre. Ato 10 të dyshuara akuzohen për pjesëmarrje në grupe terroriste”, tha avokatja Fehmije Gashi Bytyqi.

Disa prej grave të kthyera të premten në mbrëmje nga Siria po dyshohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

10 gra të kthyera në fund të javës së kaluar nga Siria, janë dërguar në Gjykatën e Prishtinës për t’u marrë në pyetje rreth aktivitetit të tyre gjatë qëndrimit në zonën e konfliktit.

Ato kanë hyrë në ndërtesën e gjykatës nën përcjelljen e Policisë.

Ndërsa grupi i dytë i grave të kthyera pritet të dalë para gjykatës gjatë ditës së nesërme.

Pas kthimit të tyre nga Siria, Prokuroria ka thënë se do t’i marrë në pyetje 32 gratë e kthyera nga Siria.

KALLXO.com ka xhiruar momentin kur një pjesë e këtyre grave kanë zbritur nga automjeti i Policisë për të hyrë në ndërtesën e gjykatës.

https://kallxo.com/11-gra-te-kthyera-nga-siria-dalin-para-gjykates/

www.kallxo.com

(Raporti është edituar te numri i të dyshuarave)