Konferenca për të zhdukurit | Foto: Sanja Ivanis

Do të Krijohet Baza e të Dhënave për të Zhdukurit nga Luftërat e ish-Jugosllavisë

Në konferencën e 14-të rajonale në lidhje me zhvarrosjen dhe identifikimin e njerëzve të zhdukur gjatë luftërave të viteve 1990, të mbajtur në Beograd të premten, u tha se një bazë të dhënash unike për personat e pagjetur do të themelohet në Hagë.

Përfaqësuesit e qeverive boshnjake, kroate, kosovare, malazeze dhe serbe, si dhe disa organizata ndërkombëtare, kanë rënë dakord të krijojnë bazën e të dhënave, tha një përfaqësues i shoqatave të familjeve të viktimave.

Olgica Bozaniq, kryesuese e Bordit të Trupit Koordinues Rajonal të Shoqatave të Familjeve, paralajmëroi se ka pasur një rënie të aktivitetit në vitet e fundit kur ka ardhur puna për lokalizimin e mbetjeve të viktimave.

“Në shumicën e rasteve, politika përfshihet kur kërkojmë që disa vende të kontrollohen”, tha Bozaniq për BIRN pas konferencës.

Por Bozaniq tha se ishte e kënaqur që përfaqësuesit e të gjitha organeve qeveritare dhe organizatave ndërkombëtare të pranishme kanë rënë dakord të krijohet lista e personave të zhdukur.

“Ka ndodhur në të kaluarën që disa individë u raportuan të zhdukur në disa vende të ndryshme”, tha ajo.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se numri i personave të pagjetur ka qenë subjekt i manipulimit politik.

Bozaniq shtoi se Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ICMP, ka lansuar një platformë online për të ndihmuar në lokalizimin e vendeve të varreve të fshehura.

Njerëzit të cilët i dinë vendet e varreve masive, por kanë frikë të vijnë në zyrat e shoqatave të viktimave, ose nuk duan të identifikohen për ndonjë arsye tjetër, tani mund të raportojnë atë që ata e dinë në mënyrë anonime, tha Bozaniq.

Konferenca rajonale mblodhi së bashku përfaqësues të komisioneve shtetërore për personat e zhdukur, prokurorët e krimeve të luftës dhe përfaqësuesit e 18 shoqatave të familjeve të viktimave nga ish-Jugosllavia.

Takimi i tyre, megjithatë, përfundoi me zënka, pasi “ndjenja e pafuqisë së përfaqësuesve të disa familjeve u kthye në zemërim”, sipas Bozaniq.

“Shumë veta ende nuk po mund t’i kapërcejnë emocionet e tyre dhe të luftojnë për të vërtetën në një mënyrë dinjitoze. Ngritja e zërit nuk do të ndihmojë askënd”, tha ajo.

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ende ka 10,373 persona të zhdukur nga luftërat e viteve në 10 në ish-Jugosllavi.

Koordinatori rajonal i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Ballkanin Perëndimor, Zita Crener, tha se gjetja e të zhdukurve duhet të konsiderohet si një çështje humanitare, jo politike.

“Ne po i shtojmë përpjekjet tona për të bërë thirrje për më shumë veprime nga të gjitha anët”, tha Crener për BIRN.