Tryeza për financimin e subjekteve politike. Foto: KALLXO.com

Auditorët e Financave të Partive të mos Jenë Partiakë

Felix Rathje, zyrtar për politikë ne Zyrën e BE-së ne Kosovë tha se kjo zyrë përkrah fuqishëm ndryshimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Demokraci Plus është duke e organizuar sot tryezën për modelin që duhet të ndjekë Kosova në lidhje me auditimin e financave të subjekteve politike.

Rrathje më tutje në këtë tryezë tha se duhet të ndryshojë një koncept- dokument për financimin e subjekteve politike që ka filluar të hartohet.

Për Rathje, koncept-dokumenti nuk plotëson standardet europiane.

“Koncept- dokumenti që propozon që partitë politike vetë t’i përcaktojnë auditorët, ndjeshëm rrezikon pavarësinë e auditorit dhe nuk përkon aspak me standardet europiane”, tha Rathje.

Ai deklaroi se ky koncept-dokument vetëm e përkeqëson gjendjen e auditimit të financave të subjekteve politike, pasi, sipas tij, nuk duhet të cenohet pavarësia e organit që kryen këtë auditim.

Mentor Borovci, drejtor i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit tha se aktualisht koncept-dokumenti për financimin e subjekteve politike është vetëm në fazën e draftit fillestar.

Borovci deklaroi se një model ashtu si përshkruhet në koncept-dokument e ka edhe Anglia.

“Ky është vetëm një draft fillestar dhe se këtë model e kanë edhe shtete si Anglia që është djep i demokracisë”, tha Borovci.

Në tryezë i pranishëm ishte edhe Ilir Cacaj nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa munguan përfaqësuesit e partive tjera.

Ishte paralajmëruar që në tryezën e Demokracisë Plus të vinin edhe  Ismet Beqiri nga LDK-ja, Betim Gjoshi nga PDK-ja, Valon Tolaj nga AAK-ja dhe Shyqiri Bytyqi nga Nisma, por ata nuk janë prezentë.

Vetëm Lëvizja Vetëvendosje i ka paraqitur vazhdimisht raportet e saja financiare, ndërsa LDK-ja dhe PDK-ja e kanë bërë publikimin e raporteve të tilla vetëm pasi këtë ua ka kërkuar shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova.

http://kallxo.com/kerkohet-te-dihet-si-po-financohen-partite/

Auditimi i financave të subjekteve politike në Kosovë nuk është bërë që nga viti 2013.

12 ditë më parë u zgjodhën me short auditorët që do të shikojnë raportet financiare të subjekteve politike.