Pamje nga mbledhja e sotme e Këshillit Prokurorial – Foto: KALLXO.com

Të hënën votohet drejtuesi i Këshillit Prokurorial

Të hënën pritet që Këshilli Prokurorial i Kosovës të zgjedh kryesuesin e ri.

Kryesuesi që pritet të zgjidhet ka mandat tre vjeçar dhe do ta zëvendësojë kryesuesin aktual Blerim Isufajn, të cilit i skadon mandati.

Sipas informatave që KALLXO.com i posedon, për këtë pozitë ka konkurruar vetëm një person.

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni ka konkurruar për pozitën e kryesuesit të KPK-së.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vet Hyseni, i cili ka thënë se shpreson që të zgjidhet kryesues por se, sipas tij, kjo varet nga votat e anëtarëve të këtij institucioni.

https://kallxo.com/bahri-hyseni-kunkurron-per-kryesues-te-kpk-se/

Hyseni në të kaluarën ka qenë kuadër i PDK-së duke shërbyer për një mandat kryetar i komunës së Shtërpces dhe një mandat tjetër deputet i Kuvendit të Kosovës nga kjo parti.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e 159-të me 24 dhjetor 2018, kishte njoftuar se është marrë vendim për paraqitjen e nominimeve për Kryesues të KPK-së, i cili ishte paraparë të bëhet nga data 26, 27 dhe 28 dhjetor 2018 sipas procedurave të parapara ligjore.

Përmes një njoftimi KPK ka lajmëruar se gjatë takimit të 160-të në agjendë të takimit do të jenë edhe diskutimit rreth Planit të Punës së Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për vitin 2019 si dhe Vlerësimi i Performancës së Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për periudhën 2016 – 2018.